Komunitet

Sezoni turistik sjell Baywatch-ët shqiptarë …po pajisjet jetë shpëtuese?

Do të dukej bukur për një serial të stilit “Baywatch”, por një i ri, i hipur mbi një kullë të vogël druri, që  për t’i shpëtuar diellit mbi krye përdor kapelën e kashtës sepse nuk ka një kabinë nga ku të rrijë e të vrojtojë pushuesit teksa notojnë në det, pa asnjë kamerdare shpëtuese, nuk do të të jepte edhe aq idenë e një roje bregdetare.

E megjithatë në fotografitë e postuara nga kryeministri Rama, i cili në profilin e tij në Facebook  ka  shkruar se për herë të parë ka një infrastrukturë kullash vrojtimi në funksion të sigurisë së pushuesve, me një shtrirje gjatë gjithë vijës bregdetare të territorit të Shqipërisë, që shkon  nga Velipoja në Sarandë. Edhe pse kryeministri i ka pranuar mangësitë në këtë hap të parë, duke vijuar se është një dobësi  e pushtetit vendor, pasi është detyrë ligjore e funksion i bashkive, nuk i ka shpëtuar syrit kritik.

Foto re rojeve bregdetare shqiptare.

Skenografi i njohur, Bashkim Zahaj, aktiv kohëve të fundit në debatin kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar ka postuar për analogji edhe një fotografi të rojave bregdetare të shtetit fqinj , Italisë, duke vënë në pah mungesën e pajisjeve të domosdoshme për një rojë bregdetare si dylbi, sirene alarmi, kuti e ndihmës së shpejtë, radio, varkë me lopata, skaf me motor apo kamerdare.

I pyetur nga Gazeta “Si” për një koment rreth kësaj, Zahaj e quan përpjekjen qesharake. “

“Kjo tregon se çfarë  stafi injorantesh ka nga pas. Të  paditur dhe të  pa dalë. Kudo roja bregdetare është siç paraqitet te fqinjët. Madje kontrollin nuk e bën Bashkia. Në Greqi dhe Itali që kam pasur rastin të shoh, roja bregdetare, ushtarak shfaqet i veshur me uniformë. Kontrollohen pajiset dhe në fund mbahet një procesverbal ku firmos roja. Rojet janë të kualifikuar për atë pune dhe mund të punësohen, ose të merren me qira. Ata janë në shërbim të kujtdo që gjendet në territorin e plazhit dhe jo vetëm në ujë.” – është i mendimit skenografi, duke shtuar se kjo vjen nga padija dhe mosdashja. “Lekë për të betonizuar plazhet, bregdetet dhe bulevardin e Vlorës ka, kurse për jetën e qindra pushuesve, jo.” Kjo sipas Zahajt vjen si pasojë e vijueshmërisë së punëve të bëra me arrogancë dhe pa përfaqësues profesionistë.

Bashkim Zahaj. Foto:Jetmir Duraku

Mungesën e uniformave kanë vërejtur edhe komentuesit në profilin e kryeministrit, duke theksuar se duhet të kenë mbështetje edhe nga policia detare e të jetë një shërbim që funksionon gjithmonë.

Problematikën e rojeve  bregdetare e ka prekur edhe kreu i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i cili është i mendimit se rojet bregdetare duhet t’i ketë në ngarkim shteti.Në një status në profilin e tij në Facebook, Kokëdhima shkruan:“Paradokset nuk kanë të sosur me këtë qeveri tutkunësh. Kur priten qindra mijëra turistë në plazhe dhe miliona fitime nga taksat në arkën e shtetit, kjo qeveri refuzon të bëjë investimin minimal për të rekrutuar roje bregdetare dhe reduktuar numrin e mbytjeve në det në plazhet shqiptare. Pa e vënë aspak ujin në zjarr qeveria ia ka lënë topin në derë dhe me detyrim bizneseve private që të vendosin roje bregdetare.” –ka shkruar ai, duke zbuluar se Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që ngarkon bizneset private të financojnë e bëjnë këtë shërbim. 

“Zgjidhja thekson se mbrojtja e jetës së qytetarëve që janë njëkohësisht dhe taksapagues, është kryekëput mision i shtetit, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara.” – ka shtuar Kokëdhima, ndërsa se në këtë sektor nevojiten efektivë të formuar, të cilët mund t’i sigurojë vetëm shteti.

Rojet bregdetare, Itali.

Me çeljen e sezonit të verës kanë nisur punë edhe rojet bregdetare. Në një reportazh mbi shërbimin e këtyre të fundit, nga “Joni TV”, një televizion lokal, rojet bregdetare kanë shpjeguar detyrat e tyre duke thënë se ajo konsiston në patrullimin e plazhit, komunikimin e herëpashershëm me qytetarët , sensibilizimin dhe këshillimin, ndërsa mbajnë kontakte të afërta me shërbimet e urgjencës spitalore apo forcave të policisë në raste ku kërkohet ndërhyrja e këtyre të fundit.

Roje në bregdetin shqiptar. 

Një roje bregdetare në qytetin e Sarandës ka thënë se në plazhet publike, ku është vendosur ky shërbim, ata patrullojnë dhe mbajnë nën vëzhgim një vijë anësore prej 250 metrash dhe janë përgjegjës për pushuesit në rrezik në 50 metra thellësi, distancë që përkon edhe me vijëëne sigurisë. Në rast tejkalimi të këtij kufiri nga pushuesit, rojet lajmërojnë me bilbil dhe afrohen për të bërë me dije se kalimi i vijës përbën rrezik.

 Lifeguard Albania, Qendra e kualifikimit profesional për roje detare thonë për gazetën “Si” se një rojë që të  kualifikohet për punë i duhet së pari të dijë të notojë mirë, të sjellë një  raport mjekësor që dëshmon aftësinë për punë dhe  të ketë mbushur moshën 18 vjeç.

Deri tani, thonë nga kjo qendër bashkëpunimi ka qenë i lidhur ngushtë me bashkitë, të cilat kanë pasur kompetencën për sigurimin e jetës së pushuesve në brigjet shqiptare, edhe pse këtë vit pranojnë përzgjedhja e rojeve ka qenë më e përzier dhe jo të gjithë kanë dalë të trajnuar nga kjo qendër, sidomos rastet kur rojet janë punësuar pa mbushur moshën madhore.

Edhe pse kjo qendër trajnon roje prej vitesh, thonë se vetëm këtë vit ka nisur  në mënyrë masive prania e tyre në bregdet. Rojet gjatë kurseve trajnuese mësojnë të menaxhojnë edhe situata rreziku dhe ndërhyrje të ndihmës së shpejtë.Me Vendim të Këshillit të Ministrave  rojet bregdetare duhet të jenë të pranishëm jo vetëm në plazhet publike, por edhe ato private.

Sipas kësaj qendre për trajnimin e rojeve të kualifikuar, nuk mjafton vetëm aftësia për të notuar, por një rojë duhet të jetë i pajisur edhe me kutinë e ndihmës së shpejtë, dylbitë, apo kamerdaren.

Vitet e fundit kanë qenë të shpeshta rastet e mbytjeve të pushuesve në det, ndërsa vetëm këtë sezon turistik  janë shënuar tetë viktima, kur katër janë shënuar në  shënuar në vijën bregdetare në Durrës. Po ashtu ditën e djeshme është gjetur i mbytur  në plazhin e Shëngjinit një 30-vjeccar nga Elbasani, ndërsa  policia ka hapur hetimet për të zbuluar shkaqet.

Roje në kullat e vrojtimit ngritur këtë vit nga qeveria shqiptare. 

Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Ora News”, në plazhin e Durrësit janë vërejtur kullat e ngritura por pa  roje bregdetare. Prefekti i Qarkut Durrës, Roland Nasto, njëherësh edhe drejtues i task-forcës për turizmin ka pranuar mungesën  e sigurisë për pushuesit, ku vihet re jo vetëm mungesa e rojeve bregdetare, por edhe i disa pikave që përbëjnë 10 kushtet e sigurisë në plazhe.Nasto ka thënë se po merren masa përmirësimin e gjendjes në plazhe.

Ndërkohë është bërë e ditur se në zonat turistike janë transferuar më shumë se njëmijë efektivë policie nga Tirana dhe qytete të tjera për të forcuar sigurinë gjatë sezonit turistik. Gjithashtu policia e shtetit ka nisur të shpërndajë fletëpalosje me këshilla,  në pikat kufitare në gjuhën angleze dhe italiane për pushuesit e  huaj.

Ndryshimin me pajisjen e plazheve me kulla vrojtimi dhe roje bregdetare e quan si “nata me ditën” në krahasim me vitet e mëparshëm, ndërsa pranon se nuk do të ketë justifikim, por bashkëpunim me bashkitë për të garantuar një sezon të pastër e të sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë