Futboll

Sezoni i shkëlqyer, 5 titullarë të Partizanit në ekipet kombëtare

Grupi i lojtarëve që i riktheu titullin Partizanit pas 26 vitesh, sigurisht që do të mbahet mend gjatë, nga i pari tek i fundit. Një sezon i shkëlqyer nga skuadra e trajnerit Skënder Gega, i kurorëzuar me sukses dy javë para mbylljes së kampionatit, me diferencë pikësh me rivalët. Gjithë ajo punë e madhe e bërë nga të gjitha hallkat në klub dhe nga lojtarët në fushë, është shpërblyer në çdo aspekt.

Partizani do të përfaqësohet me 5 futbollistë në ekipet kombëtare, me gjysmën e ekipit. Një arritje më vete kjo në klubin e kuq për faktin e thjeshtë se përfshirja në Kombëtare rrit vlerën e lojtarëve në treg. Përveç portieri Alban Hoxha dhe mesfushorit-mbrojtës Lorenc Trashi, trajneri Edi Reja ka ftuar edhe Bruno Telushin në Kombëtare. Që të tre e meritojnë plotësisht, sepse kanë qenë ndër kolonat kryesore në ekipin kampion të Superiores. Esat Mala është një tjetër kampion kuqezi, i cili bën pjesë në listën e Alban Bushit tek ekipi Shpresa, por për momentin është me Kombëtaren A, sipas kërkesës së trajnerit italian për të pasur në grup edhe disa lojtarë të Kombëtares U-21. Esat Mala është një nga ata elementë të rinj, që Partizani mund të shesë jashtë vendit, ndoshta që këtë verë.

Partizani feston me tifozët një fitore në "Selman Stërmasi"

Titullari i pestë i Partizanit që do të jetë pjesë e Kombëtares është Jasir Asani, por jo me atë kuqezi. Sulmuesi anësor i të kuqve ka vendosur të luajë për ngjyrat e Maqedonisë së Veriut. Ai priti një ftesë kuqezi deri në momentin e fundit, por ajo nuk erdhi kurrë dhe Asani ka rënë dakord për plotësimin e dokumentacionit për t’u bërë pjesë e ekipit fqinj. Ai është një nga futbollistët më të talentuar të Partizanit, që ka kontribuuar maksimalisht në fitimin e titullit dhe që bën pjesë në listën e atyre që pritet të shiten. Kuptohet që përfshirja në ekipet kombëtare i ndihmon të gjithë këta lojtarë të evidentohen më mirë, duke ditur që menaxherë të ndryshëm të huaj ndjekin ndeshjet e përfaqësueseve.

Në këtë mënyrë fiton si Partizani, sepse të kesh 5 lojtarë në ekipet kombëtare nuk është pak, ashtu edhe vetë lojtarët, të cilët reklamohen më shumë dhe më mirë. Me fitimin e titullit, klubi i kuq duket se po hap një faqe të re në historinë e tij, duke qenë kompetitiv në rezultate dhe duke iu përshtatur kushteve të ekonomisë së tregut. Përfaqësimi në Champions League dhe shitja e mundshme në kampionate të huaja e lojtarëve me kualitet, do të mbushë detyrimisht arkat e klubit dhe do të ndikojë në fuqizimin e tij në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë