Futboll

Sërish përleshje në Romë, 5 tifozë të plagosur para Lacio-Sevilja

Roma është përfshirë sërish nga trazirat mes tifozëve ultras. Sherr masiv mes tifozëve të Lacios dhe Seviljes, që ndeshen sot në mbrëmje në stadiumin “Olimpico” për Europa League. Pasojat? Disa kanë marrë plagë me thikë dhe dy tifozë janë në gjendje të rëndë aktualisht.

Janë pesë të plagosurit me armë të ftohtë në përleshjen mes dy tifozërive, që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Romë. Të gjithë kanë marrë plagë me thikë dhe mes tyre janë tre spanjollë dhe njëri anglez, ndërsa i pesti është një amerikan, i cili nuk ka lidhje me dy tifozëritë, por kalonte rastësisht në atë zonë. Këta persona janë transportuar me urgjencë në spitalin “Santo Spirito” dhe mësohet se dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Kanë nisur ndërkohë hetimet dhe disa persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje. Që prej pasdites të së mërkurës, qendra historike e kryeqytetit italian është marrë në mbikëqyrje nga forcat e rendit, sidomos në pikat strategjike të saj.

Policia në rrugët e Romës, ku kanë ndodhur përplasjet mes tifozëve

Policia është në alarm. Që të mërkurën është mbajtur një takim teknik, ku është shpalosur plani i sigurisë, duke u nisur nga fakti se në Romë pritet të jenë 1500 tifozë të Seviljes. Gatishmëri totale e forcave të rendit, që kanë marrë masa të forta për të evituar përplasjet mes dy tifozerive në ambientet pranë stadiumit, apo në pika të tjera të qytetit, para dhe pas ndeshjes.

Sipas medieve spanjolle, një nga të plagosurit është ultras i Xerez, pjesëtar i grupimit “Kolectivo Sur”, i binjakëzuar me “Biris” të Seviljes. Grupe ultrasish që kanë një orientim të majtë politik në Spanjë. Më e rëndë ka qenë gjendja e një tifozi të Seviljes, që po mbahet nën kontroll nga mjekët dhe aktualisht është stabilizuar. Të dy këta tifozë kanë marrë plagë me thikë në këmbë. Dyshimet janë se mund të kenë qenë ultrasit spanjollë ata që kanë sulmuar në një bar tifozët e Lacios, në rrugën “Cavour”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë