Futboll

Sërish kore raciste, futbolli italian pushtohet nga huliganët

Në kohën kur po mendohet se futbolli Italian është në fazën e ringritjes, me klubet kryesore që po tentojnë të bëjnë mirë dhe me kombëtaren, e cila po riorganizohet, një tjetër skandal pritet të shpërthejë në gadishullin Apenin. Bëhet fjalë për fenomenin e racizmit, që sa vjen edhe shtohet në stadiumet italiane. Këtë sezon në gati të gjitha stadiumet për kampionat, Champions ose Kupë ka pasur thirrje raciste ose dhune.

Në fillim në Torino, në ndeshjen e Juventus kundër Torinos pati kore raciste dhe thirrje për dhunë. Klubi bardhezi ia hodhi paq me një dënim të vogël, ku për dy ndeshje u detyrua që të mbyllte sektorin ultras. Kjo ngjarje u duk sporadike në fillim, por më pas do të pasonin edhe ndodhitë në Milano, Romë dhe Bolonja.

Në ndeshjen Inter-Napoli, ndoshta ishte shpërthimi më i bujshëm i racizmit kundër mbrojtësit francez, Kulibali. Zikaltërit në fakt morën një dënim shembullor, por që serish nuk ndikoi në frenimin e këtij fenomeni. Përplasjet mes tifozëve të Bolonjës dhe Torinos, koret raciste në “Olimpico” në ndeshjen e Lacios kundër Novarës dhe në fund ato në ndeshjen e Romës me Virtus Entela, kanë konfirmuar këtë gjendje të rëndë.

Në këto dy të fundit, ku protagonist kanë qenë tifozë nga kryeqyteti italian, ngjarjet kanë qenë akoma dhe më absurde. Tifozët e Lacios kanë kënduar gjatë gjithë ndeshjes “Kjo Romë tani më shumë ngjan si Afrika”. Ndërsa ata të Romës kanë qenë akoma dhe agresiv mbrëmjen e djeshme. Në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Italisë, kundër Virtus Entela, tifozët ultras të Romës kanë kënduar disa kore raciste, “Vezuv shpërthe sërish në flakë”, apo edhe “E urrej Napolin”.

Ende nuk ka asnjë vendim nga Federada Italiane e Futbollit dhe Liga e Serisë A për dy klubet e kryeqytetit italian. Por duke parë vendimin që u mor disa javë më parë kundër Interit pritet që edhe ndëshkimi të jetë i ashpër edhe për Lacion dhe Romën. Racizimi dhe prezenca e huliganëve në stadiume, pritet të jetë sfida tjetër e madhe e futbollit italian në vitet e ardhshme, për të bërë atë që më herët kanë bërë Anglia dhe Gjermania, që tashmë shohin frytet, duke pasur klube të pasura dhe stadiume të tej mbushura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë