Analize

Sërish karantinë? Europës po i mbarojnë opsionet

Hapi drastik që asnjë politikan europian nuk do të donte të merrte sërish është rikthimi në rendin e ditës së karantinës. Presidenti francez Emmanuel Macron, qeveria e të cilit ka shmangur deri tani me kujdes diskutimin publik të vendosjes së një karantine kombëtare mes rritjes së rasteve të koronavirusit, pranoi të dielën se vendi mund t’u rikthehej kufizimeve më të gjera të lëvizjeve.

Ashtu si udhëheqësit e tjerë në Europë, Macronit po i mbarojnë opsionet. Ndërsa zyrtarët europianë e kanë pranuar tanimë se po përballen me valën e dytë të pandemisë, përpjekjet e tyre për të kufizuar përhapjen e virusit me masa më të buta, nga mbajtja e detyrueshme e maskave deri te shtetrrethimi i pjesshëm, nuk po funksionojnë.

Për kryeministrin italian Xhuzepe Konte dhe kancelaren gjermane Angela Merkel zgjedhjet politike po bëhen gjithnjë e më të vështira. Edhe pse të dy ata u lavdëruan për mënyrën e menaxhimit të valës së parë, si në Itali ashtu edhe Gjermani ka pasur protesta të ashpra kundër masave izoluese. Njerëzit janë lodhur, përçarjet midis qeverive lokale dhe atyre kombëtare janë në rritje, dhe edhe pse vendosja e një bllokimi të tek zgjatur është përgjigjja e vetme, ata do të fajësohen për ekonomitë e shkatërruara.

Vala e re e koronavirusit duket ndryshe nga e para. Shifrat e rasteve të reja duken shumë më të larta me shumicën e vendeve europiane që po përballen me dyfishin e të infektuarve në krahasim me valën e parë në pranverë. Ndërkohë, numri i viktimave, megjithëse shumë më i ulët se në pranverë, është në rritje, ashtu si fluksi i pacientëve që kërkojnë kujdes spitalor. Nëse rritja e rasteve të reja vazhdon më këtë ritëm, disa vende europiane do të jenë të detyruara të hyjnë në karantinë në mes të nëntorit.

Nëse shërbimet e kujdesit shëndetësor shkojnë drejt kolapsit të gjithë liderët e dinë se mjeti i vetëm është të mbyllin ekonominë dhe të urdhërojë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

"Politikanët kanë vendime të vështira për të marrë," tha Jean-Francois Delfraissy, mjeku kryesor që këshillon qeverinë franceze për pandeminë, të hënën në një intervistë radiofonike. “Kjo valë e dytë do të jetë më e keqe se e para", tha ai.

Pasi u ishte imponuar një bllokim mbarëkombëtar në pranverë, shumë europianë kundërshtojnë me forcë një të dytë. Protestuesit në qytete si Londra, Napoli dhe Berlini marshuan gjatë fundjavës kundër "tiranisë" pandemike. Në Itali, disa palestra dhe kinema thanë se nuk do t'i binden urdhrave për t'u mbyllur.

Për t'i bërë gjërat edhe më keq, edhe masat drastike nuk do të sjellin frenim të menjëhershëm të pandemisë. Pavarësisht thirrjeve për një mbyllje të rreptë dy javore në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat e pranverës tregon se u deshën rreth katër javë që urdhri i qëndrimit në shtëpi të fillonte të kishte një efekt.

Në Francë, numri i pacientëve të shtruar në spital vazhdoi të rritej për gati një muaj pas hyrjes në karantinë më 17 mars. "Ky është një moment i rrezikshëm për shumë vende në hemisferën veriore," thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. "Por ne kemi parë që ndërmarrja e veprimeve të duhura nënkupton se shpërthimi i pandemisë mund të menaxhohet."

Por disa vende janë të gatshme të përqafojnë masa më të ashpra. Belgjika po mendon për një bllokim mbarë kombëtar. Polonia dhe Republika Çeke, vendi më i goditur në Europë, sinjalizuan se hyrja në karantinë mund të jenë afër. Irlanda mbylli ekonominë e saj për gjashtë javë
Merkel, e cila kohët e fundit ka bërë thirrje për ashpërsimin e luftës kundër pandemisë diskutoi hapat e ardhshëm që do të merrte vendi i saj. Gazeta Bild raportoi se Gjermania mund të mbyllte restorante, bare dhe dyqane, por do të mbajë të hapura shumicën e shkollave.

Në Spanjë, qeveria qendrore njoftoi planet për t'i dhënë rajoneve të vendit kompetencat gjithëpërfshirëse për të vendosur për karantinën dhe kufizime në lëvizje, duke u deleguar masat jopopullore tek autoritetet lokale.

Spitalet duken më pak të përgatitura për të përballuar një valë të dytë sepse më shumë mjekë dhe infermierë po sëmuren tani sesa gjatë pranverës.

Shefi i stafit të Merkel tha të hënën se 85% e rasteve në Gjermani nuk mund të gjurmohen. Kancelarja gjermane tha gjatë një takimi nga partia e saj se masat e reja janë të pashmangshme, të njohur me diskutimin. Ekonomia më e madhe e Europës ishte një nga kombet që e përballoi më mirë pandeminë në valën e parë, por gjatë javës së kaluar, mesatarja ditore e rasteve të reja është shumë mbi kulmin e pranverës.

Rastet filluan të rriteshin në të gjithë Europën ndërsa temperaturat ulen. Virusi Sars-CoV-2 mbijeton më gjatë në temperatura më të ftohta, duke rritur rrezikun e ngjitjes. Po ashtu lodhja nga distanca sociale gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm.

"Ne jemi të befasuar nga brutaliteti i asaj që ka ndodhur për 10, 15 ditët e fundit," tha Delfraissy.
Në Poloni, si në kombet e tjera europiane, zyrtarët arritën të përmbanin valën e parë falë një bllokimi të plotë, duke bërë që qeveria të fillontë hap pas hapi lehtësimin e kufizimeve.

Zyrtarët e lartë deklaruan se virusi "nuk ishte më një kërcënim", për t’i shtyrë njerëzit të votonit gjatë zgjedhjeve presidencial në verë.

"Ndërsa numri i polakëve të infektuar filloi të rritet, njerëzit ende besonin se gjërat ishin nën kontroll", tha Olgierd Annusewicz, eskpert në Universitetin e Varshavës. "Kjo ishte koha kur duhej të ishin ndërtuar spitale të përkohshme, kështu që ne hymë në valën e dytë të papërgatitur."

Analizë e "Bloomberg", përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë