Futboll

Sërish italian, Partizani firmos me trajnerin e ri

Pas largimit të bujshëm të trajnerit kampion, Skënder Gegës që riktheu titullin pas 26 vitesh, Partizani ka gjetur më në fund trajnerin e ri. “Klubi i kuq” nuk i ndahet dashurisë me trajnerët italianë, teksa këtë herë emri që do të drejtojë “demat” do të jetë Franko Lerda. Ky i fundit në këto ditë ishte përfolur më pak nga të gjithë trajnerët e tjerë italian. Gjatë ditës së enjte, mësohet se Lerda ka qenë në Tiranë për tu takuar me presidentin Gaz Demi dhe drejtorin OIsi Rama, edhe pse më këtë të fundit një takim e kishin konsumuar në Itali.

Franko Lerda kur drejtonte Viçensën

Lerda ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me Partizanin me opsion rinovimi për vitin e dytë në sajë të arritjes së objektivave. Tekniku 51-vjeçar gjatë mëngjesit të kësaj të premte është nisur sërish drejt Italisë dhe prezantimi zyrtar në zyrat e klubit pritet të bëhet gjatë javës që vjen. Pas prezantimit Lerda do të fillojë menjëherë nga puna për tu njohur sa më shpejt me grupin dhe ta përgatisë atë për ndeshjen eliminatore të Champions League edhe pse Partizani ende nuk e ka njohur ekipin kundërshtar, me të cilin do të ndeshet në turnin e dytë. Lerda ka udhëtuar sërish drejt Italisë edhe për një arsye tjetër që të mbyllë akordet me ndihmësit e tij që do i bashkohen në Tiranë në këtë aventurë të re.

Franko Lerda kur trajnonte Torinon

Trajneri italian është një emër jo pak i njohur në futbollin e përtej Adriatikut, teksa në të shkuarën e tij ka drejtuar disa ekipe të rëndësishëm, ku vlen të përmenden, Torino, Leçe, Peskara, Krotone etj. Aventura me Partizanin do të jetë e para jashtë Italisë për Franko Lerdan. Pas Sormanit, Iulianos dhe Agostinelit, ky do të jetë trajneri i katër italian në krye të Partizanit që nga koha kur ekipi është në pronësi të Gaz Demit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë