Futboll

Sërish dhunë në Superligë, Laçi dhe Flamurtari ndahen në barazim

Në javën e parë pas ndërprerjes së kampionatit si pasojë e dhunës në ndeshjen Kamza-Laçi, grushtet dhe shkelmat janë shfaqur sërish në fushën e lojës. Këtë herë në ndeshjen Kastrioti – Tirana e zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” protagonist të dhunës kanë qenë tifozët vendas dhe futbollistët bardheblu.

Në fundin e ndeshjes, pas shumë pakënaqësive ndaj vendimeve të arbitrit, arbitri i Tiranës, Ardian Mema ka hyrë në fushë për t’i kërkuar llogari arbitrit të ndeshjes Olsi Sokoli. Por ato momente kanë ndërhyrë uniformat blu, duke e larguar me forcë teknikun tiranas dhe të gjithë pjesëtarët e klubit kryeqytetas që u përfshinë në këtë konflikt. Përplasja mësohet se ka vazhduar edhe në dhomat e zhveshjes së stadiumit. Bëhet me dije se futbollisti i Tiranës, Grent Halili, njëkohësisht edhe djali i presidentit të Tiranës, Refik Halili është goditur nga tifozët vendas dhe presidenti bardheblu nuk është lejuar të futet në dhomat e zhveshjes.

Sakaq sa i përket kronikës së ndeshjes, ajo gjatë gjithë kohës ishte e acaruar dhe vendimet e arbitrit lanë për të dëshiruar në disa raste. Kastrioti mori një fitore me shumë vlerë në luftën për mbijetesë 1-0, pas penalltisë të akorduar në minutën e 28’. Në ndeshjen tjeter të orës 14:00 në Superligë, mes Laçit dhe Flamurtarit, çdo gjë është mbyllur në barazim. Të dyja ekipet që rivalizojnë për Kupat e Europës nuk mundën të gjenin rrugën e rrjetës dhe u mjaftuan me nga një pikë në këtë përballje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë