Vijojnë rezultatet negative të kombëtares U-19. Skuadra përfaqësuese e 19-vjeçarëve pas humbjes disa ditë më parë me Sllovakinë, këtë herë është mposhtur nga Norvegjia 0-1. Në përballjen e luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit, skuadra e drejtuar nga Erion Bogdani nuk ka mundur dot të kthehet të rezultatet pozitive. Edhe pse nuk kishte shanse për të kaluar në “Elite Raund”, nga kombëtarja U-19 pritej një rezultat pozitiv, por që sërish mungoi.
Tekniku Bogdani hodhi në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, duke kërkuar që minimalisht të dilte me një barazim nga kjo përballje. Por Norvegjia tregoi nivel më të lartë dhe arriti të triumfonte mesditën e kësaj të martë në Durrës. Nordikët e gjetën golin që në minutën e 31’ të pjesës së parë. Pas këtij goli, skuadra norvegjeze arriti ta administronte mjaft mirë rezultatin deri në fund. 19-vjeçarët shqiptarë kërkuan që të barazonin shifrat, por nuk arritën dot të çanin në mbrojtjen shtatlartë dhe të organizuar të miqve. Trajneri Erion Bogdani në minutat e fundit provoi të gjitha kartat, duke bërë disa zëvendësime, por pa sukses, pasi shifrat mbetën të pandryshuara.
Gjithsesi duke parë nivelin e kundërshtarit, lojën që tregoi skuadra kuqezi dhe nëse do të krahasohej me humbjet e mëparshme, kjo sfidë me Norvegjinë mund vlerësohet si pozitive. Pas kësaj humbje, Shqipëria renditet në vendin e fundit në grupin 8, me tre humbje në tre ndeshje. Sakaq Ukraina, Sllovakia dhe Norvegjia janë me nga gjashtë pikë në këtë grup, duke dueluar fortë për vendin e parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.