Kombetarja

Serisë A i bashkohet dhe Frederik Veseli, 7 kuqezinj në elitën italiane

Festë e madhe për Salernitanën dhe mbrojtësin e Kombëtares, Frederik Veseli. Skuadra është ngjitur në Serinë A pas 23 vitesh dhe qyteti i Salernos është mbushur nga tifozët, pas fitores 3-0 ndaj Peskarës, që siguron matematikisht ngjitjen një kategori më lart.

Ishte një sukses që pritej prej një kohe shumë të gjatë dhe tifozët e Salernitanës nuk përmbaheshin në festë, jo gjithmonë në distancë apo me maska, siç parashikojnë rregullat e pandemisë. Skuadra e Veselit ia ka dalë të ngjitet në Serinë A direkt, pa pasur nevojën e “play off”-it. Slogani i zgjedhur nga klubi ishte "Macte Animo", që shprehje latine, që do të thotë “kurajë".

Veseli me Kombëtaren. Gazeta Si, 10 maj 2021

Bashkëpronar i Salernitanës është Klaudio Lotito, presidenti i Lacios, çka do të thotë se klubi duhet të ketë një pronar të ri, sepse nuk lejohet që të garojnë në të njëjtën kategori dy klube me të njëjtin proran. Madje, Lotito ka 30 ditë kohë që ta shesë pjesën e tij të aksioneve, në të kundërt pjesëmarrja në Serinë A do të jetë e pamundur.

Në nivelin elitar të futbollit italian shtohen futbollistët kuqezi. Pas Nedim Bajramit, është edhe Frederik Veseli që ngjitet në Serinë A, ku do të bashkohet me Elseid Hysajn, Berat Gjimshitin, Marash Kumbullën, Ardian Ismajlin dhe Tomas Strakoshën, që do të thotë se janë 7 kuqezinj në elitën e futbollit italian. E gjithë mbrojtja e Shqipërisë tashmë është nga Seria A, ndërkohë që shpresohet të zgjidhet edhe çështja e dokumentacionit të Bajramit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë