Sociale

Serbia mbyll kufijtë. Austria nuk penalizon shqiptarët e bllokuar nga Covid-19

Serbia ka mbyllur kufijtë si masë parandaluese për parandalimin e koronavirusit, duke mos lejuar të shtetasit e huaj të kalojnë edhe tranzit nëpërmjet territorit të saj. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i bëri të ditur të premten këto masa, duke deklaruar se ka bllokuar edhe fluturimet ajrore nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Beogradit.
Pas kësaj mase, ka ardhur edhe një reagim i Ministrisë shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme që i fton shqiptarët të bëjnë kujdes kur udhëtojnë, pasi mund të bllokohen në udhëtimet e tyre.
"Në vëmendje të shtetasve shqiptarë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se nga data 20 mars 2020, autoritetet serbe kanë informuar mbylljen e kufijve të territorit të Serbisë, me qëllim evitimin e përhapjes së virusit Covid-19. Për pasojë, shtetasit e vendeve të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Serbi. Gjithashtu, MEPJ informon se autoritetet sllovene nuk do të lejojnë hyrjen në Slloveni për 30 ditët e ardhshme, të shtetasve të vendeve të tjera, me përjashtim të atyre që kanë lejeqendrimi të vlefshme në Slloveni", thuhet në njoftimin e ministrisë shqiptare.
Sakaq një lajm i mirë jepet nga Ministria e Jashtme sa u përket shqiptarëve që janë bllokuar në Austri nuk do të penalizohen, por se nuk do të lejohen të futen shtetas të huaj në këtë territor nga 20 marsi. MEPJ informon se të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Austri, të cilët tejkalojnë qëndrimin e lejuar në hapësirën Schengen dhe dëshmojnë se për shkak të situatës së Covid-19 e kanë të pamundur lëvizjen, nuk do të penalizohen. Gjithashtu, autoritetet austriake kanë informuar se shtetasit e vendeve të tjera, nuk do të lejohen të hyjnë në Austri duke filluar nga dita e sotme, datë 20 mars 2020, me përjashtim të atyre që kanë lejeqendrimi të vlefshme në Austri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë