Kosova

“Provat” kundër Hashim Thaçit në Hagë i ka çuar Serbia!

“Askush nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi që duhet të paguajmë për lirinë ”. Kjo ishte deklarata e presidentit Hashim Thaçi kur arriti në Hagë për marrjen në pyetje nga Prokurorët e Gjykatës Speciale.

Sot, kur njoftoi se po gjykohet për krime lufte nga Haga, duke u detyruar të japë edhe dorëheqjen, presidenti mund të ketë kuptuar se çmimi që duhet të paguajë është shumë i lartë.

Konfimimi i aktakuzave për krime lufte ndaj presidentin, kreun e PDK-së Kadri Veselin dhe eksponentëve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara erdhi edhe si një goditje e rëndë ndaj shtetit të Kosovës. Ajo ka rikthyer kujtimet e marrjes në pyetje të Ramush Haradinaj, duke e detyruar të dorëhiqej si kryeministër.

Ndërkohë që Thaçi po përgatitet sot për t’u përballur me Prokurorët Specialë, është e rëndësishme të theksojmë se disa muaj më parë Serbia ka zbuluar se provat kundër presidentit të Kosovës në Hagë u dorëzuan nga Beogradi zyrtar.

Ish-prokurori i Serbisë për krime lufte ka rrëfyer në gusht se zyra e tij u dha prova hetuesve të Hagës në lidhje me rolin e supozuar të Presidentit Hashim Thaçi në krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë konfliktit 1998-1999.

Ish-kryeprokurori i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç tha në një intervistë për "Balkan Insight" se ndërkohë që po kërkonte prova për krimet e kryera nga shqiptarët e Kosovës, autoritetet serbe mblodhën prova në lidhje me rolin e Thaçit në krimet e kohës së luftës, i cili më pas iu kalua hetuesve të Hagës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar me qendër në Hagë njoftoi se kishte ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash, duke akuzuar Thaçin për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, përfshirë vrasjen, zhdukjet me forcë, persekutimin dhe torturat. Edhe pse është kundër të gjitha rregullave, aktakzua u bë publike pa u vërtetuar ende, ndërkohë që Thaçi ishte nisur drejt Shëpisë së Bardhë, ku përflitej se mund të firmoste një marrëveshje me presidentin Aleksandër Vuçiç.  

Presidenti Hashim Thaçi, Gazeta "Si", 2020

Vukçeviç, i cili ishte kryeprokuror i krimeve të luftës nga viti 2003 deri në fund të 2015, tha se autoritetet serbe bashkëpunuan me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për hetimet mbi pretendimin se luftëtarët e UÇK trafikonin të burgosurit për shitjen e  organeve.

"Prokuroria e Hagës po hetonte krimet e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe çoheshin në Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri, ku gjoja të burgosurve u hiqeshin organet e të burgosurve, por ata nuk të kishin një mandat për Shqipërinë sepse vetë Gjykata e Hagës ishte ekskluzivisht për vendet e ish-Jugosllavisë" tha Vukçeviç.

Ai thotë se me kolegët e tij më pas erdhën në Shqipëri, dhe me një prokuror lokal vizituan rreth 12 vende ku u mendua se mund të ishin varrosur viktimat e trafikimit të organeve. Ai tha se ata gjetën dëshmi të rolit të Thaçit në krimet e kryera nga luftëtarët e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Ata ia përcollën provat që gjetën raportuesit të Këshillit të Europës Dick Marty, i cili nxori një raport shpërthyes se gjoja liderët e UÇK-së, përfshirë Thaçin, ishin të përfshirë në "trafikim të organeve, rrëmbime dhe keqtrajtime të të arrestuarve" gjatë luftës. Raporti i Dick Marty çoi në krijimin e Task Forcës Speciale Hetuese të Bashkimit Europian për të provuar pretendimet.

Vukçeviç thotë tani se Serbia siguroi mbështetje logjistike për akuzat ndaj Thaçit dhe bashkëpunoi në organizimin e marrjes në pyetje të rreth 400 dëshmitarëve.

Vladimir Vukcevic

Vukçeviç gjithashtu deklaroi se Thaçi po hetohej nga prokurorët serbë për dyshime për krime lufte në një rast që datonte nga vitet 1990. Kjo shkaktoi një përplasje në prill të vitit 2015, kur një OJQ me qendër në Beograd organizoi një konferencë në kryeqytetin serb për integrimin europian të vendeve të Ballkanit dhe ftoi edhe Thaçin. Por autoritetet serbe kërcënuan se do ta arrestonin nëse ai hynte në vend.

Pas përfundimit të hetimeve në shtator 2016, Zyra e Prokurorisë të Specializuar të Kosovës u krijua për të përgatitur akuza kundër të dyshuarve që do të gjykohen në Hagë.

Të dy institucionet janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por janë të vendosura në Holandë dhe të udhëhequra nga ndërkombëtarët. Ata u ngritën nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës dhe shihen nga shumë shqiptarë të Kosovës si një fyerje për luftën e UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

I pyetur për rolin e Serbisë në sigurimin e provave, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës tha se "nuk jep informacion mbi hetimet saj".

Nëse aktakuza konfirmohet nga një gjykatës, Thaçi përballet me Dhomat e Specialistëve të Kosovës në Hagë. Ai ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se ai do të dorëhiqet si president nëse gjykohet.

Një grup i vogël shqiptarësh protestuan kundër aktakuzës para ndërtesës së Dhomave të Specializuara të hënën, duke mbajtur pankarta që lexonin "Ky është racizëm", duke kënduar këngë dhe duke thirrur "UÇK".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë