Futboll

Serbët me tank para stadiumit, kroatët: Një provokim i hapur!

Përpara stadiumit “Marakana” të Beogradit, ku Cervena Zvezda luajti dje në mbrëmje me Jang Bojs ndeshjen e kthimit (1-1) në “play-off”-in e Championsit, ishte ekspozuar një tank, model T-55, si ata që janë përdoruar nga ushtria e vjetër jugosllave. Një tank me një flamur të klubit të njohur serb, që vendosjen e këtij mjeti lufte para stadiumit e ka konsideruar një atraksion për tifozët e huaj. Të paktën ky ishte shpjegimi në faqen zyrtare të Crvena Zvezdës.

Tanku përfaqëson ushtrinë e veriut, që sot është edhe emërtimi i një tifo-grupi të organizuar të Crvena Zvezdës. Bëhet fjalë për një model pa pajisjet dhe instrumentet ushtarakë brenda tij, sipas ministrit Nebojsha Stefanoviç: "Është diçka që i ngjan një tanku lufte dhe që në asnjë mënyrë nuk është një kërcënim për njerëzit”, - ka thënë ministri serb.

Tanku para stadiumit "Marakana" në Beograd. Gazeta Si, 28 gusht 2019

Në Kroaci ky veprim ka sjellë polemika të mëdha, pasi konsiderohet një provokim i hapur nga Beogradi. Këtë qëndrim ka mbajtur e përditshmja sportive kroate, “Sportske Novosti”, duke sjellë në vëmendje faktin se është një tank i përdorur në vitin 1991, në betejën e Vukovarit, ku Kroacia luftonte për pavarësinë e vendit. Gjatë ndeshjes së parë të Crvena Zvezdës në Bernë, disa tifozë serbë janë sulmuar teksa po e shihnin e ekipin e tyre nga televizori në Knin të Kroacisë, një vend, ku një minorancë serbe ishte rebeluar ndaj shpalljes së pavarësisë nga Zagrebi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë