Ekspozite

‘Sensitive’, Anila Hetoja ngre në piedestal gruan

Nga Gazeta Si - Figura e gruas mbizotëron dhe shpërfaqet sensitive, e ngrohtë, sensuale në ekspozitën personale të piktores Anila Hetoja.  Ajo ka çelur në Galerinë e Artit Tiranë ekspozitën “Sensitive”, ku vendos gruan në qendër të 20 pikturave të realizuara në tre vitet e fundit, duke e sjellë në dimensione të ndryshme.

Në punimet e prezantuara Anila shpalos jo vetëm gruan sensitive dhe të brishtë, por përcjell edhe mesazhe të forta për jetën, për gruan, për gra të veçanta, të hekurta, të fuqishme.

Piktorja Heto shprehet për Gazetën “Si” se me këto piktura ka dashur ta ngrejë femrën në lartësinë e duhur.

“E kam titulluar ‘Sensitive’, sepse në fokus është gruaja ashtu siç është ajo sensitive, e ngrohtë. Doja që t’i jepja vlerat që i takojnë, ta ngrija në piedestal, ta krijoja atë formën që ka shumë sensuale”, shprehet piktorja për Gazetën “Si”.

Kjo është ekspozita e katërt personale e piktores dhe ka rreth tri vite që ka punuar për ta finalizuar.

“Ka qenë tani momenti që ta hap këtë ekspozitë. Doja që të mbaronte pandemia, doja që njerëzit të vinin të takoheshin e të përqafonin njëri-tjetrin, pra ta shijonin ekspozitën”, shprehet artistja për Gazetën “Si”.

Janë 20 punime që vijnë të përmasave të ndryshme, janë punuar me akrilik, në pëlhurë, ku duket sikur gratë krijojnë edhe dialogë mes tyre dhe vijnë më së shumti në një ndërthurje ngjyrash mes të kuqes dhe blusë.  

“Kam ardhur me një zinxhir punësh, që janë të të njëjtës linjë dhe dua të them që frymëzimin për këtë ekspozitë e kam marrë te muzika. Prandaj telajon e lidh edhe me muzikën. Gruan e krahasoj me një simfoni të ngrohtë. Është simfoni e jetës”, shton më tej piktorja Hetoja.

Duke u nisur nga kronikat e zeza që dëgjojmë çdo ditë, për Anilën si artiste ka qenë e vështirë të qëndrojë indiferente, ndaj dhe mesazhi që do të japë me këtë ekspozitë është që duhet vlerësuar gruaja.

“Ne jemi këtu, ne jemi më të forta se kurrë.  Mesazhi që dua t’i jap publikut është që të duan njëri-tjetrin, të vlerësojmë gruan, ta duam atë, ta respektojmë. Të mos e dhunojmë dhe mbi të gjitha dua që ne gratë vetë të marrim në kontroll veten, të jemi të afta të përballojmë jetën, të punojmë fort”, vijon artistja.

Piktorja Anila Hetoja gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës

Duke u nisur nga ngjyrat që mbizotërojnë në këtë ekspozitë që janë e kuqja dhe bluja ajo thotë se janë pikërisht këto dy ngjyra që ka dashur të përfaqësojë gruan.

“E kuqja është ngjyra e dashurisë, ndërsa ngjyra blu përqëndrohet te thjeshtësia, gruaja misterioze, sensitive, por edhe e fortë që di të ngrihet pasi e kanë gjunjëzuar. Pra janë këto dy ngjyra që e karakterizojnë, pra është bluja dhe e kuqja”, përfundon piktorja Hetoja për Gazetën “Si”.

Piktorja Hetoja i është kushtuar artit pamor që në moshë të re, duke përcjellë në telajo frymëzimin e marrë tek natyra dhe duke i përcjellë në forma të reja plot gjallëri, larmishmëri dhe individualitet.

Ekspozitat e Anilës pasojnë njëra-tjetrën, jo vetëm në Tiranë dhe Shkodër, por edhe jashtë vendit, si në Gjermani apo në Kanada, ku dhe ka studiuar në një ndër universitetet më të njohur të Amerikës Veriore në fushën e dizanjit dhe artit.

Ekspozita e parë e hapur nga Anila në vitin 2016 me tematikë “Love” u pasua një vit më pas nga ekspozita me tematikë “Motivet Tradicionale dhe Ngjyrat e Tokës“. Në vitin 2018, janë çelur dy ekspozitat “Gruaja” dhe “Njerëz në Fokus”. Ekspozitat me tematikë “Natyrë” dhe “Art Expo”, të dyja të sjella tek publiku artdashës në vitin 2019, u ndoqën nga ekspozita në “Sallon Vjeshte” në 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë