Shendet

Sëmundjet e zemrës, shkaku kryesor i vdekjeve. Shtohen vdekjet me ‘shkak të paqartë’

Nga Gazeta Si - Numri i vdekjeve gjatë vitit 2022 në Shqipëri ra me rreth 21%, në një total prej 24 mijë vdekjesh. Sipas Instat, 97 për qind e tyre ndodhën për shkaqe natyrale, ku kryesojnë problemet me aparatin e qarkullimit të gjakut, 55 për qind. Në 2021, kjo sëmundje zinte vetëm 52%.

Sëmundjet e zemrës sollën 42 për qind të vdekjeve.

Por një pjesë të konsiderueshme të vdekjeve kanë qenë të paqarta. Instat raporton se 20 për qind e tyre kanë pasur shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë. Një vit më parë, kjo shifër ishte 16 për qind.

Vdekjet në grup-moshën mbi 70 vjeç përbëjnë 82 për qind të vdekjeve për këtë grup-sëmundje dhe shkaku kryesor është regjistruar si “Vdekje nga pleqëria”.

Shkaqet kryesore të vdekjeve sipas grupsëmundjes. Burimi: INSTAT.

Ndërsa vdekjet me shkak tumoret përbëjnë grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13 për qind të vdekjeve gjithsej. Krahasuar me vitin 2021, janë regjistruar 6 për qind më pak humbje jete nga kjo grup-sëmundje.

Nga 23.998 të vdekur gjithsej, 54 për qind ishin meshkuj dhe 46 për qind ishin femra. Si te femrat dhe te meshkujt, grupsëmundja “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” përbën shkakun kryesor të humbjeve të jetës.

Shkaqet kryesore të vdekjeve sipas grupmoshës. Burimi: INSTAT.

Bie vdekshmëria foshnjore

Në vitin 2022, janë regjistruar 161 vdekje foshnjore. Norma e vdekshmërisë foshnjore është 6.5 për 1000 lindje të gjalla, në krahasim me 8.4 në vitin 2021. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “Sëmundjet që shfaqen në periudhën rreth lindjes (perinatale)” dhe “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.

“Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut” dhe “Dëmtimet traumatike dhe helmime” përbëjnë grupet me peshën më të madhe në vdekjet e shkaktuara për grup-moshën 20-44 vjeç. Për grup-moshat 45-64, 65-79 dhe 80+ vjeç, grupi kryesor mbetet “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë