Politike

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës nga SPAK Berisha hesht, Këlliçi e komenton nga Facebook: Hap i parë, për tu përshëndetur

Në fillim të mbledhjes së kryesisë, Sali Berisha foli gjatë për zgjedhjet, se si ishte përgatitur edhe një dosje me 600 faqe nga opozita për shkeljet e deri tek domosdoshmëria e analizës dhe problematikave që dolën në zgjedhje shoqëruar me nevojën për krijimin e një fronti të gjere opozitar.

Berisha nuk preku gjatë fjalës së tij vendimin e SPAK për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës dhe askush nga PD-ja përmes një njoftimi zyrtar nga zyrat e selisë deri në botimin e këtij artikulli.

Por Belind Këlliçi po. Ky i fundit nuk ishte gjatë mbledhjes me dyer të hapura në mbledhjen e kryesisë por për vendimin e të martës të SPAK ai përcolli një deklaratë nga faqja e tij në Facebook.

“Një hap i parë i drejtësisë për një nga aferat më të mëdha në histori, me firmë e përgjegjësi direkte të Erion Veliajt, është për t'u përshëndetur.

SPAK ka konkluduar se në inceneratorin e Tiranës kemi të bëjmë me mashtrim me pasoja të rënda, shpërdorim detyre, pastrim parash, korrupsion i zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë e më shumë. Krime mjaft të renda këto. Krime për të cilat kam ngritur herët zërin bashkë me kolegë të Opozitës.

E sotmja është fitorja e parë e qytetarëve të ndershëm ndaj kryebashkiakut më të korruptuar të këtyre 3 dekadave.

Inkurajoj SPAK të çojë deri në fund hetimin e të bëjë drejtësi të plotë, duke vënë para ligjit Erion Veliajn dhe pa asnjë diskutim bossin e madh, Edi Ramën.

Ndryshe nga rastet e tjera, me inceneratorin e Tiranës autori i keqbërjes është në dritën e diellit, pasi ai me firmën e tij ka insistuar që të ngrihet kjo skemë e mashtrimit me pasoja të rënda, e pastrimit të parave, dhe vjedhjes së qytetarëve të Tiranës.

Mund ta ndalosh ndryshimin duke vjedhur votën, por modeli i ngritur mbi abuzim e zullum nuk zgjat përgjithmonë”, shkruan Këlliçi në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë