Shkencë

Seksizëm në Shkencë: Fizika është ndërtuar nga burrat

CERN - Qendra Europiane e Kërkimit Bërthamor


Angela Giuffrida dhe Mattha Busby/ The Guardian - Një shkencëtar i vjetër italian është pezulluar pasi ndezi zemëratë gjatë një prezantimi në CERN, qendra europiane e kërkimit bërthamor në Gjenevë, ku ai tha se fizika është “shpikur dhe ndërtuar nga burrat, nuk bëhet me ftesë.” Prof.Alessandro Strumia nga Universiteti i Pizës pretendoi gjatë një seminari mbi çështjet gjinore në fizikë se shkencëtarët meshkuj po diskriminohen për shkak të ideologjisë.

Cern lëshoi një deklaratë më pas duke e pezulluar Strumian menjëherë pasi prezantimi e tij u cilësua i  “papranueshëm” dhe  në “kundërshti me kodin e sjelljes së Cern-it.” “Cern përpiqet gjithmonë të mbajë misionin e tij shkencor në një mjedis paqësor dhe përfshirës”, thuhet në deklaratë. Megjithatë , pjesëmarrësit vunë në pikëpyetje se përse u lejua të fliste, duke qenë se pikëpamjet e tij janë gjerësisht të njohura. Strumia i tha audiencës, kryesisht të përbërë nga fizikane femra, se kërkueset femra në Itali prireshin të fitonin nga arsimimi në “universitetet falas apo më pak të kushtueshëm” , ndërsa universiteti i Oksfordit në Angli, “ i zgjat kohët e provimeve për përfitimin e grave.”

Strumia i mbrojti komentet e tij, duke thënë për “Guardian” se kritikuesit e tij ishin “duke u përpjekur të më pikturonin si përbindësh që diskriminon gratë” dhe se paraqitja e “fakteve” ishte në përgjigje të deklaratave të bëra rreth burrave që diskriminojnë gratë. Ai ka thënë se të dhënat tregojnë se shkencëtaret meshkuj dhe ato femra janë të cituar në mënyrë të barabartë në prezantime dhe se gratë ishin të favorizuara kur vjen puna te punësimi. “Ky nuk ishte një mesazh që donin ta dëgjonin në këtë konferencë”, thotë ai. Strumia, i cili punon rregullisht në Cern, ka thënë se pretendimet nga një pjesëmarrës gjatë eventit se sfera e fizikës ishte e dyta në radhë , poshtë ushtrisë,  për abuzime seksuale, ishin “krejt absurde”.

Fizikani  Alessandro Strumia 

Ai ka thënë: “Këta njerëz janë kaq të shqetësuar rreth problemeve që nuk ekzistojnë. Ajo që thashë në të vërtetë kishte qëllim të mirë. Nuk po diskriminojmë, gratë janë ndihmuar për vite.” Cern, drejtore e përgjithshme e të cilit është fizikania italiane Fabiola Gianotti, e përshkroi prezantimin e Strumias si shumë fyes dhe hoqi slide-t e përdorura në fjalimin e tij nga uebsajti i qendrës.Aty thuhet: “Organizatorët nga Cern dhe disa universitete bashkëpunuese nuk ishin në dijeni të përmbajtjes së fjalimit përpara punimeve. Diversiteti është një realitet i fortë në Cern dhe është edhe një nga vlerat thelbësore, që mbështet kodin tonë të sjelljes. Organizata është plotësisht e përkushtuar për promovimin e diversitetit dhe barazisë në të gjitha nivelet.”

Megjithatë slide-t kanë qarkulluar online, me një fjali që thotë se fizikanet e shquara femra si Marie Curie ishin “të mirëpritura,  vetëm pasi tregonin se mund t’ia dalin, kishin marrë Nobel...” Strumia pretendon se është neglizhuar për një rol në favor të grave dhe se kushdo që ka folur rreth kësaj është sulmuar, ose ka rrezikuar të humbasë punnën. “Më pëlqen fizika dhe shkenca sepse kushdo mund të bëjë çfarë të dojë. Nuk më pëlqen kur ka projektime sociale që vendosin sesa burra, grave dhe kategori duhet të ketë”, ka thënë ai.

Dr Jessica Wade, një fizikane nga “Imperial College”, Londër, e cila ishte e pranishme në eveniment, ka thënë se prezantimi i Strumias ishte tmerrues dhe simplist dhe se ajo u ndje shumë keq për “çdo fizikan të ri në atë sallë”, të cilëve “iu vodh i gjithë entuziazmi.” “Vetëm ata që kanë bërë një prezantim akademik mund të kuptojnë ndjesinë e tmerrit dhe gëzimin absolut, kur prezanton kërkimin tënd në një fushë me ekspertë” ka thënë ajo. “Është një ngut,  sidomos kur e kupton se ke bërë një zbulim në shkencë që të tjerët nuk e kanë bërë, por të që rrëmbehet entuziazmi,  sepse dikush të thotë se je atje vetëm se je grua dhe kjo është ndjesia më e tmerrshme.”

Fabiola Gianotti, drejtore e Qendrës CERN, Gjenevë. 

Prof. Anne-Christine Davis nga Universiteti i Kembrixhit, e cila mori  pjesë në konferencën në Gjenevë, por që u  largua një ditë përpara prezantimit të tij, thotë: “ Komentet e tij janë shumë fyese. Janë ato lloj komentesh që njerëzit bënin dekada më parë, por në këtë epokë dhe në këto kohë nuk e di se në ç’planet jeton.” Davis shton ‘ka një anshmëri të pavetëdijshme gjatë gjithë kohës” dhe shpesh gratë humbasin rolet. Në përgjigje të komenteve të tij mbi ngacmimin seksual, Davies e cila ka qenë viktimë në fazat e para të karrierës, ka thënë : “Është e qartë që ai nuk ka qenë ndonjëherë në anën e  pësuar  të ngacmimit seksual, por shumë fizikane femra kanë qenë.”

Gianotti u bë e para grua që mban një mandat pesëvjeçar si drejtore e përgjithshme e Cern-it, në vitin 2016. Ajo ka thënë në një intervistë në fillim të këtij viti se “shkencat themelore janë ende të dominuara nga meshkujt” por që ajo personalisht, nuk kishte ndier kurrë diskriminim. Megjithatë Gianotti, e cila ka drejtuar Atlas, një nga projektet kryesore zbuluese të Cern-it, që lokalizuan thërrmijën Higgs Boson, ka shtuar se ndërkohë që roli i saj “ka treguar se nuk ka paragjykim kundër grave në këto pozicione, disa nga koleget e mia gra, kanë pasur më shumë vështirësi sesa unë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë