Ekonomi

Sejko: Të mos nxitohemi me politikat stimulese dhe vëmendje reformave të reja

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se nuk duhet të bëhen veprime të nxituara në tërheqjen e politikave stimuluese.

Sejko shtoi se bankat kanë pasur rol kyç në procesin e rimëkëmbjes, por duhet të vihet në fokus edhe ndarja e disa fondeve për bizneset të cilat mund të ofrojnë më shumë vende pune.

Në një takim të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, gjatë ditës së mërkurë, 15 shtator u fol për çështjet kryesore me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria, të tilla si sfidat e paraqitura nga ndryshimet e shpejta klimaterike, vështirësitë ekonomike që rrjedhin nga historia e vendit, situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19 dhe sfidat e qeverisjes.

Me tej, Guvernatori shtoi se një risi zhvillimi i të cilës u përshpejtua gjatë pandemisë ishte i teknologjia e informacionit, e cila ka krijuar mundësi për inovacion financiar dhe ka sfiduar modelet bankare klasike. Instrumentet e reja të pagesës dhe kreditit, aktorët e rinj të tregut financiar, si dhe modelet e reja të biznesit, të tilla si bankat digjitale dhe pagesat elektronike, rritën depërtimin e shërbimeve financiare.

Sipas tij, edhe sektori privat duhet ta përqendrojë fokusin e tij, duke përshtatur strategjitë dhe praktikat e biznesit me tendencat në zhvillim, si p.sh. revolucioni i IT-së, i cili ka bërë të mundur zhvendosjen e një pjesë të biznesit në internet, duke rritur fleksibilitetin dhe efikasitetin operacional.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori nënvizoi që sigurimi i rritjes së qëndrueshme kërkon një agjendë të qartë reformash në fusha të ndryshme si: lufta kundër informalitetit, edukimi dhe përfshirja financiar, investimet e huaja, si dhe bashkëpunimi rajonal e më gjerë; të cilat kanë ndikimin e tyre në procesin e integrimit evropian të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë