Ekonomi

Sejko: Shteti ‘të luftojë’ me ndryshimet klimatike. Ngërç, mungesa e të dhënave zyrtare

Nga Gazeta 'SI' - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i bëri thirrje autoriteteve vendase të përkushtohen seriozisht në ‘luftën’ me ndryshimet klimatike, që prekin Shqipërinë njësoj si vendet e tjera.

Guvernatori tha se ndonëse bankat qendrore nuk janë aktorët primarë të cilët mund të lehtësojnë përshtatjen e ekonomisë me ndryshimet klimatike, BSH do të ketë rolin e saj.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të raportit me BERZH, Sejko tregoi se BSH po planifikon një udhëzim për bankat tregtare në vend, lidhur me rreziqet klimatike dhe tranzicionin energjetik. “Ndërkohë, për vitin aktual, ne planifikojmë të përgatisim një udhëzues për rrezikun klimatik me qëllim që të inkurajojmë bankat të përfshijnë rreziqet klimatike në kuadrin e tyre të administrimit të rrezikut. Në këtë proces do të konsiderohet edhe harmonizimi me iniciativat e BQE-së, duke marrë parasysh edhe praktikat e vendeve të tjera”, njoftoi Sejko.

Një ngërç në këtë drejtim për Sejkon është mungesa e të dhënave zyrtare. “Përmirësimi i këtyre të dhënave na ndihmon në vendimmarrje dhe të llogarisim rreziqet klimatike. Indeksi global i përshtatjes e rendit Shqipërinë ndër vendet vulnerabël për ndryshimet klimatike. Sipas BB-së preken 1 në 200 banorë. Implikimi është i lartë dhe në financë dhe në shoqëri”, u shpreh guvernatori i Bankës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë