Futboll

Sedorf konvertohet në mysliman prej bashkëshortes, por nuk e ndërron emrin

Klarens Sedorf, ish-futbollisti i njohur holandez, është konvertuar në mysliman. Këtë ndryshim në jetën e tij Sedorf e ka bërë të ditur me anë të një postimi në profilin e tij në Instagram.

Sipas shtypit holandez, ish-futbollisti e ka ‘zyrtarizuar' këtë ndryshim në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Por, ndryshe nga ç’ndodh zakonisht në të tilla raste, katër herë fituesi i Ligës së Kampionëve nuk do ta ndryshojë emrin. “Do të vazhdoj të mbaj emrin që më kanë vënë prindërit e mi, Klarens Sedorf!” – ka shkruar ish-legjenda e Milanit dhe Real Madridit.

Klarenc Sedorf, kur luante me Milanin. Gazeta Si, 5 mars 2022

"Një falënderim special për të gjithë për mesazhet e bukura që më keni dërguar për ditën e futjes sime në familjen myslimane. Jam shumë i lumtur dhe krenar që po bashkohem me të gjithë vëllezërit dhe motrat në botë, veçanërisht me Sofian time të mrekullueshme, që më ka mësuar në mënyrën më të thellë domethënien e Islamit" – shkruan gjithashtu holandezi.

Sofia Makramati është bashkëshortja e Sedorfit. Në rrjetet sociale ajo ka shkruar: "Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij momenti special dhe shumë të bukur të dashurisë sime Klarens Sedorf, që i bashkohet familjes myslimane. Qofsh i bekuar! Të dua!”

Në botën e sportit janë të shumta rastet, kur emra të njohur kanë vendosur të ndërrojnë fenë, përgjithësisht duke u konvertuar në myslimanë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë