Kombetarja

Seanca e parë e kuqezinjve me vetëm 8 lojtarë, lajme të mira për Kristjan Asllanin

Gazeta Si – Kuqezinjtë nisën sot zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e fundit kualifikuese, ndaj Moldavisë më 17 nëntor dhe Ishujve Faroe më 20 nëntor. Stafi teknik zhvilloi seancën e parë në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ku morën pjesë vetëm 8 lojtarë.

Pjesa tjetër është lënë pushim nga trajneri për shkak të impenjimit me klubet një ditë më parë. Seancës stërvitore i janë bashkuar edhe lojtarët e Kombëtares U-21.

Lajme të mira vijnë për Kristjan Asllani, që ka kryer kontrollet mjekësore dhe ka dalë se nuk ka probleme serioze fizike. Ai është stërvitur i diferencuar dhe pritet që të martën të bashkohet me grupin.

Lojtarët e fundit që do të mbërrijnë në grumbullimin e kuqezinjve janë Mario Mitaj, Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Mirlind Daku dhe Jon Mersinaj. Ky i fundit është thirrur së fundi për të zëvendësuar Arlind Ajetin të dëmtuar.

Kombëtarja do të stërvitet në Tiranë edhe të mërkurën, kurse të enjten në mëngjes do të niset drejt Moldavisë, ku një ditë më pas do të luajë ndeshjen në stadiumin ‘Zimbru’, në orën 18:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë