Futboll

S’e besonte kurrë se do shënonte, spanjolli pranon bastin absurd!

Besimi në aftësitë e tua është diçka shumë e rëndësishme në jetë, natyrisht dhe në karrierë. Ta kesh apo mos ta kesh këtë besim, mund të bëjë diferencën e madhe. Serxhio Reguilon, lojtar i Real Madrid, i huazuar te Sevilja, nuk ka treguar besim në vetvete, duke pranuar një bast absurd, që tani e ka vënë në pozita të vështira. Ai nuk besonte se do të shënonte dhe pranoi bastin me mikun e tij Ibai Lanos, komentator i njohur i “eSports”.

Serxhio Reguilon, lojtari i huazuar nga Reali te Sevilja. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Historinë e Reguilon e bën të ditur e përditshmja spanjolle “Marca”, duke treguar të gjitha detajet. Lojtari i Seviljes as që e mendonte se do të shënonte në ndeshjen e parë me këtë skuadër, ndaj dhe u bë protagonist i një basti absurd. Gjithçka kuptohet nga “screenshot”-et e bisedës mes tij dhe komentatorit Lanos, ku Reguilon i bënte të ditur se i kishte rezervuar dy bileta për ndeshjen me Espanjolin. Futbollisti 22-vjeçar dëshironte shumë që ta shihte mikun e tij në shkallët e stadiumit dhe i bëri këtë premtim: “nëse vjen të më shohësh, do të bëj çfarë të duash”. Komentatori i bëri një propozim të veçantë, duke iu referuar frazës së tij të famshme “Ibai nuk ka veshë”, një frazë virale në Spanjë. “Nëse vij dhe shënon, do të bësh tatuazh “Ibai nuk ka veshë’ në kofshë”, - i tha komentatori. Reguilon iu përgjigj: “Nuk ma merr mendja se do të shënoj, kështu që e pranoj bastin”.

Biseda mes Reguilon dhe mikut të tij Ibai Lanos. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Një gabim i madh, sepse mbrojtësi i krahut shënoi golin e parë për Seviljen. Nuk pati kohë as të festonte, sepse Lanos i kujtoi menjëherë bastin në Tuiter, duke i konfirmuar njëkohësisht se ishte në stadium. Pas ndeshjes, Reguilon iu drejtua mikut të tij: “Në kofshën e majtë apo të djathtë?” Por në të vërtetë nuk do ta bëjë tatuazhin. Mes batutash, futbollisti i tha mikut të tij se kishte bërë shaka: “Bëra shaka, por do të ftoj për darkë, ose diçka e tillë”. Morali i fabulës? Mos dysho kurrë tek aftësitë e tua!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë