Futboll

Saviçeviç, Figo e Toti. ‘Air Albania’ plot me yje ditën e finales

Gazeta Si - Yje në fushë, por akoma më shumë në tribunën ‘VIP’ të stadiumit ‘Air Albania’. Më 25 maj do të jenë të pranishëm në Tiranë shumë personalitete të futbollit botëror, nga Saviçeviç te Toti e Figo.

Roma dhe Fejnordi do të diskutojnë mbrëmjen e së mërkurës trofeun e parë në historinë e Ligës së Konferencës. Një finale që e ka transformuar Tiranën këto ditë. Në kreyeqytetin shqiptar do të jenë të ftuar për këtë finale shumë figura të njohura.

Dejan Saviçeviç, ish-futbollisti i Milanit. Gazeta Si, 22 maj 2022

Emrat e disa prej tyre i ka zbuluar vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka: “Mund të përmend disa emra si, Dejan Saviçeviç, Zibi Boniek, Françesko Toti, Antonio Konte dhe Luis Figo”, - ka pohuar ai.

Nostalgjikët e futbollit në Tiranë mund të kenë shansin të bëjnë një foto me ndonjë prej këtyre emrave të mëdhenj. Tifozët e Milanit mund të takojnë nga afër Dejan Saviçeviç, të Interit Luis Figon dhe të Juventusit Antonio Konten.

Në ‘Air Albania’ do të jenë të mërkurën edhe shumë personalitete të tjera. Nuk do të mungojë kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Po ashtu, janë të ftuar presidentë federatash, përveç atyre të Italisë dhe Holandës, që kanë skuadrat e tyre në këtë finale.

Nuk do të mungojnë në stadium edhe shumë ish-futbollistë të Kombëtares shqiptare, me ish-kapitenin Lorik Cana në krye.

Për Tiranën këto ditë po flitet më shumë se kurrë më parë në Romë dhe në Roterdam. Falë futbollit.

Organizatorët ndërkohë po kujdesen për detajet e fundit të ceremonisë së hapjes së kësaj finaleje. Siguria është një nga çështjet më të rëndësishme dhe mësat për këtë janë të jashëtzakonshme. E mërkura do të jetë ditë pushimi për institucionet në Tiranë dhe pa makina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë