Fqinjët italianë në prag të stinës së verës e kanë vlerësuar me nota ta larta bregdetin jonian dhe pikërisht Sarandën. Artikulli i titulluar “Deti i Sarandës, destinacioni i ri i Shqipërisë për stinën e verës” është një thirrje për të gjithë turistët për ta vizituar këtë qytet.
Shqipëria po bëhet destinacioni i ri për verën. Me plazhet mahnitëse dhe peisazhet e egra është destinacioni i preferuar i pushimeve për vitin 2018. Ndër vendet më të bukura për të vizituar këtë verë është Saranda, një qytet i vendosur në jug të Shqipërisë dhe i famshëm për të gjithë, pasi është qyteti më “i gjallë” i kombit, me restorante, lokale dhe disko të hapura sidomos gjatë verës. Qyteti laget nga ujrat e detit Jon dhe kufizohet me Greqinë. Përveç bukurisë së plazheve dhe detit, Saranda është gjithashtu shumë interesante nga pikëpamja arkeologjike, me praninë e qytetit antik të Butrintit . Saranda është një destinacion ende mjaft i lirë krahasuar me pjesën tjetër të Evropës dhe kjo është një arsye tjetër që tërheq shumë turistë, vijon shkrimi.
Saranda është destinacioni i parë i turizmit veror shqiptar. Zonat si Lukova, Borshi dhe Ksamili, janë me të vërtetë të mrekullueshme me plazhe të bukura dhe një det ëndrrash. Disa plazhe janë krejtësisht të virgjër, ndërsa të tjerët të ofrojne të gjitha shërbimet. Një distancë e vogël ndan rërën e imët të artë me gurët gëlqerorë, me pak fjalë i përshtatet të gjitha shijeve. Edhe zhytësit e thellësive gjejnë në Sarandë vendin e duhur. Në shumë zona mund të marrësh me qira pajisjet e nevojshme dhe të praktikosh këtë sport.
Çfarë duhet të shihni rreth Sarandës
Saranda nuk është vetëm det dhe natyrë, por në qytet ka edhe një zonë të rëndësishme arkeologjike: qyteti antik i Butrintit. Ky vend ndodhet pasi kalon qytetin dhe përmban dëshmi historike me vlerë të madhe. Në Butrint ekziston një amfiteatër klasik me kolona të lashta, rrënoja të vjetra romake, një bazilikë, duke dëshmuar kalimin e popujve të ndryshëm. Zona arkeologjike gjendet në një pyll që është Parku i Butrintit është gjithashtu i rëndësishëm për ruajtjen e biodiversitetit global, sepse përfshin 14 lloje kafshësh dhe 16 bimët në rrezik zhdukjeje.
Një zonë tjetër që duhet parë pranë Sarandës është Syri i Kaltër, që gjendet rreth gjysmë ore larg qytetit. Është një burim i fshehur rreth 50 metra i thellë me ujë shumë të ftohtë. Uji krijon flluska në sipërfaqe duke dhënë një shfaqje unike. Më të guximshmit zhyten në ujërat e Syrit të Kaltër, megjithëse është e ndaluar.
Një tjetër vend shumë i bukur në afërsi të Sarandës është edhe Ksamili, i cilësuar edhe si Maldivet e Shqipërisë. Një parajsë e vërtetë e formuar nga shumë limane, i mbuluar me ujë të pastër kristal dhe tre ishuj që mund të hulumtohen me një varkë me pedale.
Si të shkoni në Sarandë
Saranda ndodhet në jug të Shqipërisë dhe mënyra më e lehtë për të shkuar nga Italia është anija. Ka tragete që dalin nga porti i Brindisit që mbërrijnë në Vlorë, një port që është vetëm disa kilometra larg Sarandës. Udhëtimi zgjat një natë.
Për një udhëtim më të shpejtë, por me më shumë ndalesa, mund të zgjidhni avionin, permes Aeroportit Ndërkombëtar të Shqipërisë “Nënë Tereza”. Kur të arrini në aeroport mund të merrni me qira një makinë ose të përdorni autobusët për të arritur në destinacionin tuaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.