Gazeta Si – Polonia, kundërshtari i kuqezinjve mbrëmjen e së hënës, mori një shuplakë të fortë në Pragë, ku u mund 3-1 nga Çekia. Një skuadër që në kampin kuqezi ndoshta ishte ‘harruar’, pasi deri tani është folur vetëm për Poloninë.
Trajneri Fernando Santos debutoi në mënyrën më të keqe në stolin polak. Ai ka nxjerrë konkluzionet përkatëse nga ndeshja e Pragës dhe tashmë fokusi është te Shqipëria. Portugezi ka pohuar pas humbjes së skuadra duher të reagojë në mënyrën e duhur, jo me inat.

“Ishte një ndeshje që e nisëm keq, në mënyrë të çuditshme, pësuam dy gola shumë shpejt. Krijuam raste, por pas golit të tretë të Çekisë nuk mund të bënim më asgjë. Duhet ta analizojmë atë ndeshje, përgjegjësia është e trajnerit.
Shqipëria merr një rëndësi më të madhe pas humbjes në ndeshjen e parë kualifikuese. Kam besim se do të reagojmë si duhet, jo me zemërim ndaj Shqipërisë”, - ka theksuar trajneri Santos, duke dashur të ruajë qetësinë në kampin polak për të shmangur një hap të dytë të gabuar të hënën.
Në radhët e kuqezinjve vazhdojnë përgatitjet me moral të lartë. Në stërvitjen e fundit mungoi Uzuni, por mësohet se për të nuk ka ndonjë shqetësim dhe se do të jetë në fushë nga minuta e parë në Varshavë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.