Irena Beqiraj

Sanksionet dhe një mësim nga historia!


Kur diktatori italian Benito Musolini pushtoi Etiopinë në tetor 1935, Lidhja e Kombeve zbatoi një regjim sanksionesh ndërkombëtare që u zbatuan nga 52 vende. Ajo po ashtu, ishte një përgjigje mbresëlënëse e unifikuar, e ngjashme me atë që pamë ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Megjithëse në 1935 ekonomia botërore ishte më pak e integruar, krahasuar me "miqësinë e sotme globale ekonomike", dhimbja që Perëndimi provoi se sanksionet kundër Italisë çuan në një kompromis edhe më të dëmshëm. Ato ulën ndjeshëm aftësinë e demokracive perëndimore për të përdorur sanksione kundër një agresori akoma më kërcënues: Adolf Hitlerit. Në 1936 perëndimi gjendej mes rimëkëmbjes së brishtë nga Depresioni, valës së tejskajshme të nacionalizmit edhe luftës me varfërinë. Në këto kushte ishte e qartë që vendosja e njëkohshme e sanksioneve si ndaj Italisë ashtu edhe Gjermanisë ishte shumë e kushtueshme për shumicën e demokracive. Gjermania ishte një ekonomi shumë e madhe për t'u izoluar pa humbje të rënda tregtare për të gjithë Evropën.  Zyrtarët gjermanë ishin të vetëdijshëm për fuqinë e tyre tregtare, të cilën e përdorën për të manovruar ekonomitë e Evropës Qendrore dhe Ballkanit në orbitën e tyre politike. Thënë këtë, në kushtet e depresionit ekonomik, lufta ekonomike me Gjermaninë nuk u konsiderua më një opsion.

Ndërsa shumë komentatorë edhe analistë ishin entuziastë për efektin e sanksioneve të vendosura karshi Rusisë, qartazi si në 1936 efekti i tyre do të kompromentohej nga efektet zinxhir në ekonominë botërore e cila padyshim pas Covid 19, si edhe në kushtet e luftës tregtare të hapur nga SHBA-ja ndaj Kinës, nuk ishte më "fshati i lumtur global".

Rusia, edhe pse jo ekonomia e 4 në botë siç ishte Gjermania e viteve 1935, është  eksportuese e rëndësishme e lëndeve të para.

Rusia nuk e mori brenda ditës vendimin për të sulmuar Ukrainën,  momenti u zgjodh me kujdes. Qëllimisht ky vendim u mor pikërisht në zgjimin e lodhshëm të ekonomisë botërore nga pandemia. Qëllimisht ky vendim u mor kur martesa ekonomike Amerikë-Kinë, e cila datonte që nga koha e Nixon edhe u bë pikërisht për të dobësuar Bashkim Sovjetik, nuk mund të rikuperohej më. Rusia ishte padyshim e vetëdijshme për sanksionet, nuk u gjend e pa përgatitur,  edhe u është përgjigjur sanksioneve të vendosura në disa mënyra. Përtej shtetëzimit të mundshëm të kapitalit perëndimor te investuar në Rusi, mospagimit të borxhit të jashtëm, më 9 mars, Putin nënshkroi një urdhër që kufizonte eksportet e mallrave ruse, kërcënim që padyshim ndikon në tregjet botërore. Kufizimet ruse në eksportet e plehrave të vendosura në Shkurt kanë dhënë tashmë efektet e para në parashikimet e uljes drastike të prodhimin global të ushqimit. Ndërkohë  Rusia duke kufizuar eksportet e mineraleve të rëndësishme si nikeli, paladiumi dhe safirët industrialë, që janë lëndë e parë  thelbësore për prodhimin e baterive elektrike, konvertuesve katalitikë, telefonave, kushinetave, tubave të llampave dhe mikroçipave, do të  ndikojë  në rritjen masive të kostove e prodhimit me të cilat përballen përdoruesit final në zinxhirin e prodhimit. Një embargo ruse ose një reduktim i madh i eksportit të paladiumit, nikelit ose safirëve do të godiste prodhuesit e makinave dhe gjysmëpërçuesve, një industri globale prej 3.4 trilion dollarësh. Për të mos folur për tregun energjitik, i cili mund të çojë shumë ekonomi në kolaps.

E pra, Rusia nuk është aq e vogël apo e parëndësishme për tu izoluar. Kjo luftë ekonomike midis Perëndimit dhe Rusisë, nuk  pranon "Hubris" mendje madhësi apo supermaci. Nëse vazhdon me këtë intensitet, edhe "Dora e fshehur" së Kinës së divorcuar në menyrë uilaterale, ndihmon ekonomikisht Rusinë, prognoza është e qartë. Ekonomia botërore  do të rrëshqasë në një recesion të kombinuar me inflacion.

Konflikti ne Ukrainë kërkon të tjera mjete për zgjidhje edhe i kërkon urgjentisht. Rusia e ndihmuar nga Kina vështirë se nënshtrohet me sanksione.


Copyright © Gazeta “Si”