Kosova

Samiti i Ballkanit Perëndimor, Robertson: Lufta në Ukrainë kërcënim për të gjithë Ballkanin

Nga Gazeta 'Si'-Në Samitin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, ish-sekretari i NATO-s, George Robertson tha se lufta në Ukrainë është një kërcënim edhe për Ballkanin.

“Sot ekziston një kërcënim ekzistencial për Perëndimin, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Ky kërcënim mbulon gjithë kontinentin e Europës", tha ai ndërsa ka përmendur përfshirjen perëndimore gjatë viteve ’90 për të ndalur luftërat dhe spastrimin etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare, ishte një bazë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik”, ka thënë ish-sekretari i NATO-s.

Më tej ai ka përmendur edhe Samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington përgjatë 9, 10 dhe 11 korrikut dhe ka thënë se ky Samit duhet të fokusohet edhe në atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur keqinformimin dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

“Samiti duhet të fokusohet edhe për atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor. Keqinformimi, ndërhyrja në zgjedhje, destabilizimi, shkatërrimi ekonomik, gjitha këto janë instrumente të Rusisë dhe agjencive të inteligjencës. E gjithë kjo do të jetë në vëmendje të ministrave në Washington”, ka thënë Robertsoni.

Në fjalën e tij, Robertsoni ka thënë se e ardhmja e rajonit është në duart e qytetarëve dhe të atyre që zgjedhin për t’i përfaqësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë