Futboll

Sadio Mane zyrtarisht te Bajerni, Borusia gjen pasardhësin e Haland

Gazeta Si - Nuk kishte asnjë dyshim për kalimin e Sadio Mane te Bajern Mynih. Klubi bavarez ka njoftuar sot zyrtarisht afrimin e sulmuesit senegalez.

Një ditë më parë lojtari kreu vizitat mjekësore te bavarezët. Sadio Mane u largua nga Liverpuli, ku fitoi thuajse gjithçka. Ai ka firmosur një kontratë trevjçare me klubin e madh gjerman, ku ka kaluar si zëvendësuesi i mundshëm i Levandovskit.

Çështja e sulmuesit polak vazhdon të mbetet e hapur te Bajerni. Hasan Salihamixhiç, një nga drejtuesit e klubit, ka pohuar se e pret Levandovskin në grumbullim më 12 korrik. Vetë lojtari e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet sa më parë.

Në Gjermani ka edhe lëvizje të tjera të rëndësishme në merkato. Jo vetëm Sadio Mane. Një goditje të rëndësishme ka bërë Borusia Dortmund, që ka gjetur pasardhësin e Haland.

Sebastian Haler, sulmuesi i ri i Borusia Dortmund. Gazeta Si, 22 qershor 2022

Sebastian Haler, 27 vjeç, do të kalojë te Borusia për 35 milionë euro, plus bonuset. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë shënoi 34 gola në 42 ndeshje me Ajaksin. Zyrtarizimi i tij te Borusia Dortmund është vetëm çështje kohe.

Një tjetër lëvizje e rëndësishme në Gjermani është edhe rikthimi i kampionit të botës, Mario Gëce. Pas dy sezonesh te PSV, ai ka kaluar tek Eintraht Frankfurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë