Kombetarja

Sadiku: Bast me Panuçin, kualifikimin e luajmë me Turqinë e Islandën!

Armando Sadiku dhe Eros Grezda janë dy lojtarët e parë të Kombëtares që kanë dalë në konferencë shtypi para ndeshjes me Turqinë. Sadiku, i cili kthehet pas një viti mungesë për shkak dëmtimi, shpreson që të jetë i rëndësishëm për kuqezinjtë, të shënojë si më parë. Sulmuesi i Luganos ka theksuar se nëse grupi do të jetë i bashkuar si katër vite më parë, mund të ketë sukses, ndërkohë që ka pranuar se Shqipëria e luan kualifikimin me Turqinë dhe Islandën.

“Kthehem pas një viti në Kombëtare dhe jam shumë i lumtur për këtë. Kthehem me shumë energji dhe pozitivitet, që të jap më të mirën dhe të kthehem te goli, aty ku e kisha lënë. Te Lugano kam luajtur 7 ndeshje dhe çdo javë po marr formën fizike më të mirë. I kam ndjekur gjithë ndeshjet e Kombëtares dhe nuk është se kemi zhvilluar lojërat tona më të mira. Nëse luajmë si dimë ne, si grup, mund të marrim rezultate. Na ka munguar goli dhe shpresoj që me rikthimin tim ta gjejmë. Çdo lojtar që vjen në ekip, vjen për të luajtur, por më mirë e di trajneri, unë jam gati. Kam folur me trajnerin gjatë kohës kur isha i dëmtuar. Ai më ka thënë: ‘ne të presim’, më ka inkurajuar.

Armando Sadiku

Me Kombëtaren çdo lojtar ndihet ndryshe, e ndërron këtë gjë. Pavarësisht se ku arrin me klubin ku luan, me Kombëtaren është diçka tjetër, është diçka që e ke ëndërruar. Duhet të japësh më të mirën, duhet të jesh shembull për kombin, për ata që të shohin. Durmishaj? Nuk e njoh fare, nuk e di kush është Durmishaj. Uzuni ka bërë ndeshje shumë të mira me Kombëtaren dhe për këtë jam i gëzuar, ku ta gjej të luaj me lojtarë krahu të shpejtë si Uzuni dhe Erosi, që për mua ka qenë asistmen në çdo ndeshje. Shpresoj të kthehet edhe Erosi që të bëjmë mirë. Turqia ka shumë emra dhe është e fortë, pavarësisht se ne kemi fituar atje në miqësore. Duhet ta vlerësojmë drejt që të përsërisim atë ndeshje. Është e vështirë, sepse në grup kemi Islandën dhe Turqinë dhe me këto dy skuadra do ta luajmë kualifikimin. Shpresoj të kemi fat dhe të na ndihmojë Zoti. Të jemi grup si më përpara. Kam besim se do t’ia dalim”, - tha Sadiku.

Gjatë konferencës sulmuesi kryesor i Kombëtares ka zbuluar edhe një bast me trajnerin Kristian Panuçi: “Ishallah, me ndihmën e Zotit, marrim 6 pikë në dy ndeshjet e para. Kemi vënë bast edhe me trajnerin: nëse marrim 6 pikë, ai do të na dhurojë diçka. Duhet të jemi më shumë bashkë, të jemi pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë çunat e rinj në ekip. Të jemi si grupi i katër viteve më parë. Atmosfera është shumë e mirë, edhe të rinjtë duhen ndihmuar që të futen në ekip. Nëse do të jepja asist për Erosin, do të isha më i kënaqur se për golin tim. Ai më ka dhënë shumë asiste” – u shpreh Sadiku.

Kombëtarja ka nisur sot përgatitjet për ndeshjen me Turqinë, e para në grup për kuqezinjtë. Kjo ndeshje luhet ditën e premte në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës. Trajneri Panuçi ka disa shqetësime, pasi Binaku, Lila dhe Balaj kanë probleme fizike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë