Kombetarja

Sadiku sheh një Shqipëri Europiani: Kemi kualitetin për të përsëritur 2016-ën!

Gazeta Si – Edhe një javë kohë deri në ndeshjen me Moldavinë, e dyta në grup për kuqezinjtë, pas humbjes 1-0 në Poloni. Një ndeshje shumë e rëndësishme kjo për objektivin e kaulifikimit në Euro 2024. Vetëm fitorja bën punë për trajnerin Silvinjo dhe djemtë e tij, për të synuar më pas një tjetër trepikësh në Ishujt Faroe.

Të parët që kanë në konferencë shtypi për të folur për këto dy ndeshje janë sulmuesi Armando Sadiku dhe mbrojtësi Adrian Bajrami. Sadiku, autori i golit të vetëm të Shqipërisë në Europianin e 2016-ës, i rikthyer në Kombëtare pas një kohe të gjatë, ka theksuar se skuadra aktuale ka kualitetin të shkojë sërish në Europian.

“Ndihem shumë i lumtur që rikthehem në Kombëtare, ka emra të rinj në skuadër dhe të tjerë që kanë qenë. Kemi kualitet në skuadër, mjaton të shohësh ekipet ku luajnë lojtarët tanë. Ne sulmuesit duhet të jemi të kujdesshëm ndaj Moldavisë, që topat që do të kemi, t’i shënojmë gol.

Moldavia do të jetë në mbrojtje dhe do jetë e vështirë, por duhet shfrytëzojmë rastet. Kam shumë besim te mesfusha, do të na furnizojë mirë. Kam shumë besim, edhe pse nuk ka ekipe të dobëta, se do t’ia arrijmë qëllimit edhe me mbështetjen e tifozëve për të shkuar në Europian.

Konkurrenca në sulm? Është diçka e mirë, sepse të bën që të gabosh sa më pak. Zgjedhjet janë të trajnerit dhe ne duhet t’i respektojmë ato”, - tha mes të tjerash Armando Sadiku.

Mbrojtësi Bajrami, i cili vjen nga një dëmtim i gjatë, ka vlerësuar qëndrimin e trajnerit Silvinjo ndaj tij dhe ka shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në fushë, nëse do t'i kërkohet. Ai shpreson për një kalim në skuadrën A të Benfikës.

Kombëtarja shqiptare vjen në dy ndeshjet e radhës me disa mungesa të rëndësishme, siç janë Armando Broja, Klaus Gjasula, Marash Kumbulla dhe Ivan Balliu. Që të gjithë janë lojtarë me peshë në skuadër, por që për fat të keq kanë pësuar dëmtime, që nuk i kanë lejuar të bashkohen me Kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë