Kombetarja

Sadiku ‘indian’, Cana-Lila opinionistë dhe Agolli sipërmarrës, si kanë ndryshuar kuqezinjtë e Francë 2016!

Gazeta Si - Tetë vite më parë Shqipëria shënonte një arritje historike me kualifikimin në Europianin 2016. Me italianin Xhani De Biazi në stol, një mbrojtje solide të udhëhequr nga kapiteni Lorik Cana dhe 3 pikë të marra në tavolinë për ndeshjen e Beogradit me Serbinë, kuqezinjtë shkuan për herë të parë në një kompeticion madhor.

Në grup Shqipëria u shortua me Francën organizatore, Zvicrën dhe Rumaninë. Mori një fitore, 1-0 ndaj Rumanisë me golin historik të Armando Sadikut, dhe pësoi dy humbje, 1-0 me Zvicrën dhe 2-0 me Francën.

Nga ai Europian ka kaluar shumë kohë, kuqezinjtë kanë ndryshuar shumë. Në emra, lojë dhe kualitet. Shumë emra të listës së De Biazit e kanë mbyllur me futbollin e luajtur dhe kanë nisur karriera të tjera, por që gjithmonë kanë lidhje me futbollin. Disa vazhdojnë të luajnë ende.

‘Të mbijetuarit’
Nga lojtarët që ishin në Francë 2016 aktualisht janë 5 emrat që vazhdojnë pjesë e Kombëtares, 3 prej tyre titullarë me peshë. Bëhet fjalë për portierin Etrit Berisha, mbrojtësin Elseid Hysaj dhe sulmuesin Sokol Cikalleshi. Arlind Ajeti dhe Frederik Veseli janë dy emrat e tjerë të Europianit të Francës, por mbetet për t’u parë, nëse ata do të jenë pjesë e listës zyrtare të Silvinjos për në Gjermani 2024, apo jo.

Hysaj, titullar dhe tani, ne nje dyluftim me Levandovskin. Gazeta Si, 2 dhjetor 2023

Lista e Shqipërisë për Francë 2016
Portierë

Etrit Berisha Lacio
Alban Hoxha Partizani
Orges Shehi Skënderbeu
Mbrojtës
Lorik Cana Nantë
Arlind Ajeti Frozinone
Naser Aliji Bazel
Mërgim Mavraj Këln
Elseid Hysaj Napoli
Ansi Agolli Karabak
Frederik Veseli Lugano
Mesfushorë
Ledian Memushaj Peskara
Ergys Kaçe PAOK
Andi Lila PAS Janina
Migjen Basha Komo
Odise Roshi Rijeka
Burim Kukeli Zyrih
Ermir Lenjani Nantë
Taulant Xhaka Bazel
Amir Abrashi Frajburg
Sulmues
Bekim Balaj Rijeka
Sokol Cikalleshi Istanbul
Armando Sadiku Vaduz
Shkëlzen Gashi Kolorado Rapids

Xhaka ne dyluftim me vellane e tij, Granitin, gjate ndeshjes me Zvicren. Gazeta Si, 2 dhjetor 2023

Ende aktivë në fushë
Nga protagonistët e Francë 2016 ka të tjerë emra që vazhdojnë të luajnë ende. I pari, Armando Sadiku, që kujtohet nga të gjithë për golin e vetëm të kuqezinjve, është bërë ‘indian’. Sulmuesi i preferuar nga trajneri De Biazi në atë kohë, pas shumë eksperiencash në Europë dhe Amerikën e Jugut, tani ka zgjedhur Azinë për të mbyllur klarrireën dhe pikërisht Indinë, ku luan me Mohun Bagan.

Portieri Alban Hoxha vazhdon të luajë në Superiore me Partizanin, Bekim Balaj me Vllazninë, Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka në Zvicër, ndërsa Odise Roshi luan në Turqi. Edhe Ermir Lenjani dhe Ergys Kaçe nuk i kanë shkëputur akoma marrëdhëniet me fushën.

Trajnerët e rinj
Disa nga ata që lanë pas futbollin e luajtur, vendosën të qëndrojnë aty si trajnerë. Orges Shehi ka nisur karrierën e trajnerit, ka drejtuar deri tani Skënderbeun, Kukësin dhe Tiranën dhe pret të marrë drejtimin e Partizanit.

Janë pajisur me licencën e trajnerit edhe emra si Burim Kukeli dhe Migjen Basha, kurse Ledian Memushaj po bën aktualisht kursin e trajnerit në Tiranë.

Lorik Cana, sot opinionist sportiv ne Champions. Gazeta Si, 2 dhjetor 2023

Cana e Lila opinionistë
Lorik Cana dhe Andi Lila kanë zgjedhur një rrugë tjetër, edhe ata afër futbollit. Ish-kapiteni bën rolin e opinionistit sportiv në televizion për ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Edhe ish-futbollisti kavajas bën të njëjtën gjë për ndeshjet e Kombëtares, apo edhe për ndeshjet e kampionatit shqiptar.

Agolli sipërmarrës
Ansi Agolli, një nga titullarët e asaj Kombëtareje, pas aventurës së gjatë në Azerbajxhan, tashmë është transferuar në SHBA, ku ka vendosur të bëhet sipërmarrës. Ai ka hapur një akademi futbolli në Amerikë, që e drejton vetë. Emra të tjerë, si Mërgim Mavraj, apo Shkëlzen Gashi ende nuk kanë vendosur çfarë do të bëjnë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë