Kombetarja

Sadiku elozhe trajnerit Reja: Na bën të ndihemi të rëndësishëm!

Ishte radha e Armando Sadikut dhe Ardian Ismajlit për të dalë në konferencë shtypi. Të dy pritet të jenë titullarë në ndeshjet e radhës që Kombëtarja do të luajë më 8 dhe 11 qershor ndaj Islandës dhe Moldavisë. Sulmuesi Sadiku ka theksuar gjatë konferencës se e vlerëson shumë atmosferën që ka krijuar në Kombëtare trajneri i ri, Edi Reja. Sipas futbollistit elbasanas, trajneri italian e bën çdo lojtar të ndihet i rëndësishëm. Ai ka konfirmuar se kuqezinjtë do të luajnë me skemën 3-5-2 në Islandë.

“Trajneri ka punuar dje në stërvitje me skemën, që do të praktikojë me Islandën, me skemën 3-5-2. Duket që i pëlqen të rrijë në fushë dhe të japë këshilla për të gjithë, të marrë opinionet tona dhe kjo është pozitive për ne. Kemi kohë deri në ndeshjen e radhës dhe secili duhet ta përgatitë si duhet veten për transfertën me Islandën. Trajneri do bëjë zgjedhjet e tij, është vetëm dita e dytë e stërvitjes.

Gjithmonë jam munduar të jap maksimumin me Kombëtaren dhe me klubin ku luaj. Dua të jem vendimtar, siç kam qenë edhe më përpara për Kombëtaren. M’u dha mundësia në Andorra të luaja dhe shënova, edhe pse nuk isha në formën time më të mirë. Ka qenë një ndryshim brezi në Kombëtare që nga Europiani i Francës, kanë ardhur prurje të reja në ekip. Shumë lojtarë kanë pasur probleme me klubet e tyre. Më shumë se gjysma nuk kanë luajtur, pastaj me rregullat e Panuçit nuk krijuam raport të mirë. Forca jonë më e madhe ka qenë grupi, duhet të forcojmë grupin, të jemi një grup i bashkuar, siç kemi qenë me De Biazin në Francë. Me trajnerin e ri shpresojmë ta forcojmë këtë frymë.

Armando Sadiku

Islanda luan mirë në ajër, vetë rezultatet e saj flasin qartë. Është një ekip me përvojë dhe duhet të harrojmë dy ndeshjet që kemi luajtur me të më përpara. Duhet të shkojmë për të marrë rezultatin maksimal në Islandë. Më pëlqen shumë të jem i lirshëm dhe të bëj atë që kam mundësi në fushë. Ambienti që ka krijuar misteri, është shumë pozitiv. Më shumë te trajneri më ka pëlqyer fakti që ka shkuar dhe ka folur personalisht me të gjithë, sepse kjo e bën çdo lojtar të rëndësishëm në ekip. Kjo gjë të bën optimist, ai po mundohet ta mbajë grupin të karikuar, duke i shpjeguar gjithçka. Ai po mundohet ta praktikojë skemën 3-5-2 dhe shpresoj t’ia dalim me këtë skemë në Islandë për të marrë pikët maksimale”, - u shpreh Sadiku.

Në fund, sulmuesi kuqezi bëri të qartë edhe të ardhmen e tij: “Kam edhe dy vjet kontratë me Levanten. Isha në huazim te Lugano, tani do të kthehem në Levante. Në korrik do të bashkohem këtë ekip dhe do të vazhdoj kontratën që kam me të”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë