Analize

Sa të rrezikuar jemi nga Irani?

Ajo që u raportua në mars të vitit 2018 si një incident, duket të ketë qenë një përpjekje e mirë-orkestruar nga një celulë terroriste për të sulmuar muxhahedinët iranianë gjatë festës Sulltan Novruzit në Shqipëri.

Policia ndaloi në atë kohë dy iranianë në ambientet e jashtme të kryegjyshatës Botërore Bektashiane, pak përpara nisjes së ceremonisë festive. Pjesëmarrës në këto festime ishte edhe miku i ngushtë të presidentit Donald Trump, Rudy Guliani. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut ndodhej në një vizitë në Shqipëri së bashku me personalitete të tjera të njohura amerikane.

Në momentin e ndalimit dy të dyshuarit ishin duke bërë foto dhe u thanë oficerëve të anti-terrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Ata u lanë më pas të lirë.

Por ajo që fshihej prapa këtij incidenti duket të ishte një përpjekje për sulm terrorist nga një celulë terroriste. Sipas policisë, kjo celulë e rrezikshme ka planifikuar sulme terroriste edhe në muajt e parë të vitit 2019 dhe mbante nën vëzhgim edhe bazën e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri, të njohur si MEK. Agjentët iranianë synonin Tiranën, pasi “preja” kryesore e regjimit islamik janë muxhahedinët e strehuar në Shqipëri

"Ashraf 3", emri që MEK i ka vendosur kampit të ri në Shqipëri, duket se është kthyer prej vitesh në shënjestrën e Iranit. Ky kamp i madh dhe është ende në ndërtimin e sipër. Baza është një qytezë më vetë, ku mund të gjesh gjithçka, strehim, mensa, salla për mbledhje, parqe dhe ndërtesa administrative.

Kampi i MEK ne Shqiperi, Gazeta Si, 23 tetor 2019

Zbulimi i kësaj celule terroriste vjen pas një sërë paralajmërimesh nga mediat amerikane se Irani po komplotonte një sërë aktesh terroriste në Europë, e veçanërisht në Shqipëri. Por sa i rrezikuar është vendi ynë nga kërcënimi terrorist që vjen nga Irani?

Nëse marrim parasysh deklaratat e Pandeli Majkos rreziku është i madh. Mnistri i Diasporës ishte i pari që dha alarmin për rrezikun terrorist që vinte nga Irani duke deklaruar në një intervistë se me rrjetin televiziv amerikan“Fox News”, se Shqipëria është kthyer në një nga objektivat kryesore të regjimit islamik pasi strehoi muxhahedinët. Majko ka bërë të ditur se ka marrë edhe një kërcënim me jetë.

“Nuk kam frikë”, u shpreh ai.Muxhahedinët thonë se falë spiunëve brenda regjimit ka arritur të zbulojë se forcat speciale të regjimit iranian janë duke përgatitur terrenin për akte terrorizmi në Europë, veçanërisht në Shqipëri. MEK ka hartuar së fundmi një raport mbi aktivitetet e spiunazhit të regjimit iranian në vendin tonë dhe në Europë, duke theksuar se sulmet në tokën shqiptare janë e vetmja mënyrë për t’i sulmuar, pa përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin. Vetë Irani deklaroi se regjimi kishte planifikuar t’i vriste anëtarët e MEK në Irak dhe se strehimi i tyre në Shqipëri ishte kthyer në një “pengesë të madhe” për Teheranin zyrtar. Vitin e kaluar qeveria shqiptare ka dëbuar Ambasadorin Iranian në Tiranë, dhe një tjetër diplomat, duke i akuzuar për cenimin e sigurisë kombëtare.

Kjo ishte hera e parë pas shumë vitesh që Shqipëria dëbonte një ambasador dhe duket se shembi ekuilibrin delikat mbi të cilin po qendrore vendi ynë, për mos t’u përfshirë në përplasjet mes Iranit nga njëra anë dhe opozitës iranine dhe SHBA-së nga ana tjetër. MEK feston Sulltan Novruzin Gazeta amerikane “Uashington Times” raportonte në tetor se Mohammadnia vepronte në fakt si një agjent i regjimit iranian. Ai u caktua si ambasador në vendin tonë në vitin 2016, në të njëjtin vit që MEK përfundoi zhvendosjen e selisë së tij nga Iraku në Tiranë. Edhe pse erdhi “nën petkun e diplomacisë”, në fakt Mohammadnia ishte një ish-zyrtar i lartë Ministrisë Iraniane të Inteligjencës (MOIS) e njohur ndryshe si agjencia iraniane e spiunazhit.

Sipas ekspertëve perëndimorë, këto zhvillime mund të kenë pasoja serioze për qeverinë shqiptare, e cila nuk mund të parashikojë pasojat afatgjata të përfshirjes në këtë çështje. Ata theksojnë se nëse lufta e spiunazhit dhe terrorizmit midis regjimit dhe opozitës së strehuar në Shqipëri vazhdon, Tirana zyrtare mund të detyrohet të zgjerojë rolin e saj në çështjet e politikës së jashtme përtej arritjes tradicionale të vendit tonë.


Ekspertët e sigurisë pohojnë se MEK “ka hequr dorë” nga dhuna dhe nuk paraqet kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare në Shqipëri. Megjithatë, ai mbetet një kërcënim ekzistencial ndaj regjimit iranian, i cili ka ndërmarrë një sërë sulmesh agresive për të shkatërruar organizatën dhe për të vrarë udhëheqësit kryesorë të MEK, në të shkuarën.

Çfarë është MEK dhe si u strehua në Shqipëri?

Më shumë se tre vite më parë, rreth tre mijë anëtarë të opozitës iraniane (MEK) u dëbuan më në fund nga Iraku ku ndodheshin nën patronazhin e Sadam Huseinit dhe u strehuan në vendin tonë, mes raporteve se Amerika dhe OKB-ja i paguan miliarda dollarë qeverisë shqiptare për pranimin e grupit opozitar. Anëtarët e Organizatës së Muxhahedinëve Popullorë të Iranit konsideroheshin deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Europian dhe vetë SHBA-të deri në vitin 2012. Kjo lëvizje u krijua në fillim të viteve 1960 si lëvizje proteste kundër regjimit të Shahut të Iranit dhe vepron në emigrim.
Pas mbërritjes së tyre në vendin tonë, disa politikanë të nivelit të lartë të amerikan vizituan Shqipërinë, duke falenderuar Tiranën zyrtarë për strehimin e grupit por edhe për qëndrimin e saj anti-iranian. John Bolton, senatori John Mccain dhe Rudy Juliani, janë takuar në Tiranë me udhëheqësin e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, duke i premtuar kthim sa më të shpejtë në shtëpi.

MEK ishte ndër nxitësit dhe mbështetësit kryesorë të Revolucionit Iranian të vitit 1979, i cili rrëzoi regjimin e Shahut. Pas revolucionit, në Iran u vendos një sistem teokratik islamik nën udhëheqjen e Ajatullah Khoeminit, i cili u përball me kundërshtimin e ashpër të MEK-ut . Si pasojë, regjimi iranian filloi persekutimin e anëtarëve të organizatës që detyroi drejtuesit e saj dhe mijëra anëtarë të emigronin.

Anetaret e MEK, Gazeta Si, 2019

Shumica e tyre u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastrukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf. Në Ashraf.

Pas pushtimit të Irakut, forcat amerikane dhe muxhahedinët negociuan një pakt paqeje, në bazë të të cilit muxhahedinët dorëzuan armët dhe premtuan t’i ktheheshin jetesës paqësore civile. Si rezultat, rreth 3 mijë muxhahedinëve të Ashrafit iu dha statusi i civilëve të mbrojtur nën Konventën e Gjenevës dhe ushtria amerikane mori përsipër sigurinë e Qytetit të Ashrafit.

Në vitin 2009, ushtria amerikane ia kaloi kontrollin e Ashrafit qeverisë irakiane, e cila premtoi se ata do të trajtoheshin në mënyrë njerëzore. Pavarësisht premtimit, forcat irakiane ndërhynë brutalisht në Ashraf me qëllim vendosjen e kontrollit të tyre policor në zonë, veprime që hasën rezistencë nga muxhahedinët. Konfliktet çuan në dhunë të armatosur që shkaktoi dhjetra viktima mes muxhahedinëve. Qeveria irakiane filloi persekutimin sistematik të tyre dhe dhunë sistematike për t’i detyruar muxhahedinët të largoheshin nga Iraku.

Këto veprime ngallën reagimin e organizatave ndërkombëtare humanitare, nën presionin e të cilave qeveria amerikane i mori në mbrojtje muxhahedinët duke i strehuar në Kampin Liberty të ushtrisë amerikanë në Baghdad. Bashkë me tërheqjen e amerikanëve nga Iraku lindi nevoja e gjetjes së një zgjidhje të problemit të muxhahedinëve. Për këtë arsye, në vitin 2012, qeveria amerikane e hoqi organizatën nga lista e organizatave terroriste, dhe filloi të kërkonte mundësi për sistemimin e tyre në vende të ndryshme të botës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë