Kombetarja

Sa shumë ndryshe kuqezinjtë, nga kualifikueset drejt finaleve të ‘Gjermani 2024’!

Gazeta Si - Shqipëria filloi sot zyrtarisht grumbullimin për miqësoret e 22 marsit ndaj Kilit ne Parma dhe 25 marsit ndaj Suedisë. Skuadra që do të ketë sot Silvinjo duket disi e ndryshme me atë të 2023-shit, kur arritëm kualifikimin si të parët në grup për finalet e ‘Gjermani 2024’, duke lënë pas Çekinë apo Poloninë.

Sot vetëm një e treta e skuadrës, pra 7-8 lojtarë nga lista prej 25-26 emrash luajnë rregullisht me klubet e tyre. Pjesa tjetër luan shumë pak minuta, ose aspak. Për të ardhur keq që në momentin më të mirë, atë të përfaqësimit në një nivel kaq të lartë të futbollit europian, kuqezinjtë rreth 2 muaj larg startit nuk janë në formën e tyre më të mirë.

Kuqezinjte duke festuar pas nje fitoreje

Duke filluar nga porta, ku as Berisha dhe as Strakosha nuk kanë asnjë minutë në 2024-ën, madje Berisha në 2 prej 11 ndeshjeve nuk ka qenë as i grumbulluar tek Empoli. Strakosha, që nga largimi nga Lacio, nuk po sheh më një ndeshje të plotë.

Edhe në mbrojtje për këto ndeshje nuk do të kemi Ardian Ismailin i cili u dëmtua, ndërkohë që rikthehet Marash Kumbulla, pjesë e Sassuolos. Në 11 ndeshje në 2024-ën ai është aktivizuar vetëm 19 minuta në total, 5 ndeshje ka qenë sërish i dëmtuar, 4 i ka mbyllur në stol dhe vetëm në dy takime është aktivizuar një herë 6 minuta dhe një herë 13 minuta.

Mario Mitaj, i konsideruar si zbulimi i edicionit të shkuar, ka filluar pushimet prej kohësh, duke luajtur “futboll plazhi” në Turqi, ku është grumbulluar skuadar e tij, duke qenë se kampionati ka përfunduar prej kohësh në Rusi. Për vitin 2024 ka luajtur gjithsejë 3 ndeshje, 2 në kampionat dhe një në kupë.

Mes të rikthyerve të kësaj liste grumbullimi të Silvinjos është edhe Naser Aliji. Shqiptari i Maqedonisë së Veriut aktivizohet te FC Voluntari në kampionatin rumun. Pavarësisht se bëhet fjalë për një skuadër që renditet në vendin e 15-të, Aliji në 9 ndeshjet për vitin 2024 ka qenë 3 herë në stol dhe 2 herë të tjera nuk është grumbulluar fare. Në 4 ndeshjet e tjera është aktivizuar në total 220 minuta.

Hysaj ne nje dyluftim me Levandovskin

E njëjta gjë, si rrallë here, edhe për Elseid Hysaj. Në 11 ndeshjet e Lacios në këtë vit, 7 prej tyre shkodrani ka qëndruar në stol, ndërsa në 4 të tjerat numëron 300 minuta në total. Frederik Veseli në Superligën turke me skuadrën e tij Karagymryk duhej të kishte luajur 13 ndeshje, por 6 jerë qendërmbrojtësi kuqezi nuk është aktivizuar fare.

Për Kristajn Asllanin ka vetëm fjalë të mira. Ai ka shënuar golin e parë me fanellën e Interit këtë, por minutat për të janë me pikatore, kjo edhe për shkak të nivelit të klubit dhe konkurrencës që ka. Gjithsesi, me sa duket, lojtarit i duhen më tepër medaljet si ajo e Serisë A që do të marrë këtë sezon, se sa të zgjedhë një skuadër më të vogël për të luajtur më tepër.

Nga 12 ndeshjet e Interit në këtë sezon, mes Kupës dhe kampionatit, mesfushori kuqezi 4 ndeshje i ka parë nga stoli, ndërsa 8 të tjerat ka luajtur në total 409 minuta, me një mesatare prej 25-30 minutash për ndeshjes.

Në të njëjtën situatë të vështirë aktivizimi dhe minutash është Nedim Bajrami. Mesfushori i Sasuolo e ka humbur postin e titullarit. Nga 11 ndeshjet e klubit të tij për vitin 2024, 3 ka qëndruar në stol, ndërsa në ndeshjet e tjera ka luajtur mesatarisht 50-60 minuta.

Arbnor Muçolli është një tjetër mesfushor, që trajnri Silvinjo e përdor falë aftësive të tij për të goditur me të majtën. Me Goteborgun ai këtë vit ka luajtur vetëm 3 ndeshje. Mund të duken pak, por kur sheh se Jasir Asani, i cili shkëlqeu në kualifikuese, nuk ka asnjë minutë dhe asnjë ndeshje në 2024-ën, kupton se ka edhe më keq.

Armando Broja

‘Qershia mbi tortë’ mbetet Armando Broja, për herë të parë nën urdhrat e Silvinjos me gjasë edhe në ndeshje. Në grumbullimin e parë gjatë kualifikueseve nuk qëndroi dot as 48 orë në Shqipëri, u largua për shkak të gjendjes së tij fizike. Megjithatë, ajo që mbetet për të t’u parë për të në këtë grumbullim është edhe gjendja psikologjike, duke qenë se tashmë, i larguar nga Çelsi drejt Fulhemit, duket se nuk ka zgjidhur asgjë sa i përket aktivizimit.

Në 13 ndeshjet e 2024-ës me të dyja klubet, 3 herë nuk është aktivizuar, ndërkohë në 10 të tjerat, nga rreth 900 minuta në dispozicion, është akvitivzuar në total 228 minuta. Shumë pak për të pretenduar të jesh lider me Kombëtaren.

Megjithatë, ky është një test që do të bëjë Silvinjo, futbolli mbetet një lojë komplekse, kur jo gjithmonë statitstikat dhe shifrat tregojnë se kush do të paraqitet në fushë më mirë apo kush do të fitojë ndeshjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë