Futboll

Sa shumë emra të njohur pa ekip, merkato vazhdon me lojtarët e lirë

Merkatoja u mbyll zyrtarisht dje, por për disa të tjerë ajo vazhdon. Janë të shumtë lojtarët e lirë, mes tyre edhe emra të njohur të futbollit botëror, si për shembull francezi Ben Arfa, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë Boni, japonezi Okazaki dhe shumë italianë, si Abate, Bertolaçi, Donati, Paleta, Rosi etj.

Ato skuadra që nuk kanë mundur të kompletohen gjatë merkatos së verës për arsye të ndryshme, mund të përfitojnë, duke zgjedhur në listën e lojtarëve pa kontratë elementët që u duhen. Ata mund të federohen deri në fund të muajit mars. Dhe mund të rezultojnë goditje me leverdi, duke marrë në konsideratë emrat në qarkullim. Hatem Ben Arfa është një lojtar që mund t’i japë fantazi çdo skuadre. Sampdoria dhe Fiorentina mund të shpresojnë ende. Mesfushori 32-vjeçar, kur është i kthjellët, bën diferencën. Sezonin e fundit luajti me Renes dhe në 41 ndeshje në total shënoi 9 gola dhe fitoi Kupën e Francës. Ka mbetur pa ekip për faktin se mund të ketë pasur pretendime ekonomike të larta, por tani situata nuk është njësoj.

Fredi Guarin, kur luante me Interin. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Një alternativë e mirë është edhe ish-interisti Fredi Guarin, 33 vjeç, i kërkuar nga Breshia, Xhenoa dhe Atalanta, me të cilët nuk ka gjetur akordin. Vjen nga një sezon i dobët me Shanghai Shenhua në Kinë, që e bëri të humbë edhe kombëtaren kolumbiane. Guarin dëshiron të kthehet në Itali pas 3 vjetësh dhe tani duket një okazion. Klaudio Markizio është një tjetër emër i rëndësishëm dhe së fundi ka marrë një ofertë nga Flamengo në Brazil. Shanset më të mëdha i ka të luajë jashtë Italisë. Andrea Bertolaçi, Injacio Abate, Gabriel Paleta, Xhulio Donati dhe Xhuzepe Rosi janë gjithashtu lojtarë të lirë.

Vilfred Boni, kur luante me Mançester Sitin. Gazeta Si, 3 shtator 2019

Në këtë listë bëjnë pjesë edhe emra të tjerë me shumë përvojë, si spanjolli Markel Susaeta, sulmuesi anësor 31-vjeçar që ka luajtur me Atletik Bilbaon, Xhonatan Biabiani, një tjetër 31-vjeçar i njohur në Itali, serbi Lazar Markoviç, 25 vjeç, Keisuke Honda, Joan Gurkuf, Ivan Striniç dhe Fabio Koentrao. Kush dëshiron një sulmues, ka të lirë ish-lojtarin e Mançester Sitit, Vilfred Boni, sezonin e fundit me Suonsin në Angli. Japonezi Shinji Okasaki, rekordmen i golave me kombëtaren e tij, është po ashtu pa kontratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë