Atletike

Sa pranë medaljes, Luiza Gega “digjet” për 32 të qindtat!

Vërtet pa fat Luiza Gega, atletja shqiptare që nuk ka mundur të marrë medalje vetëm për 32 të qindtat në Berlin. Ajo ka zënë vendin e katërt në Kampionatin Eruopian të Atletikës, që po zhvillohet në Gjermani. Atletja shqiptare regjistroi kohën 9 minuta, 24 sekonda e 78 të qindtat në disiplinën e 3000 metrave me pengesa, ndërsa atletja e vendit të tretë kapi kohën 9 minuta, 24 sekonda e 46 të qindtat, 32 të qindtat më mirë se sportistja jonë.

Gega ishte shumë afër podit, madje e ka “prekur” atë, por atletja norvegjeze, më e gjatë se atletja jonë, i ka rrëmbyer medaljen e bronzit. Është vërtet për të ardhur keq që mundi dhe skarifica e Gegës nuk është shpërblyer në këtë kompeticion të rëndësishëm. Megjithatë, Luiza ka vërtetuar se është një atlete e nivelit të lartë, pavarësisht se në Shqipëri nuk ka infrastrukturën e nevojshme për stërvitje, siç e kanë koleget e saj të vendeve të tjera. Vendi i katërt është një rezultat i mirë, duke ditur se në finale garonin 15 sportiste, por Luiza synonte të mos dilte pa medalje. Garën e 3000 metrave e fitoi gjermanja Gesa-Felicitas Krauese, me kohën 9.19.80, e dyta doli zvicerania Fabienne Schlumpf, me kohën 9.22.29, ndërsa e treta norvegjezja Karoline Bjerkeli Grovdal, me kohën 9.24.46.

Luiza Gega në garë

Shqipëria del pa medalje nga ky kompeticion, pasi edhe atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, nuk ia doli të ngjitej në pod.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë