Shendet

Sa mundësi ka që të kemi një pandemi gripi të shpendëve te njerëzit?

Shkencëtarët po kërkojnë që të merren masa për të reduktuar qarkullimin e llojit H5N1 që shumë ngjitës.

Shpërthimi më i keq ndonjëherë i gripit të shpendëve ka bërë që sëmundja të bëhet endemike në disa zogj, të shkaktojë kosto të mëdha në industrinë e shpendëve, të përhapet në gjitarët e egër dhe, në disa raste të rralla, të infektojë njerëzit.

Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve këtë muaj tha se një numër në rritje i rasteve ishte raportuar te gjitarët, "duke shkaktuar sëmundshmëri dhe vdekshmëri" në specie të tilla si lundërza dhe foka. Raportet e infeksioneve në Spanjë gjithashtu kanë shtuar shqetësimet, thotë ËOAH, sepse rastet që përfshinin një numër të madh speciesh të mbajtura afër njëra-tjetrës përkeqësonin rrezikun e transmetimit më të gjerë.

Nëse H5N1 zhvillon mutacione që e bëjnë më të lehtë transmetimin te njerëzit, ekspertët i frikësohen shfaqjes së një pandemie që mbart më shumë rreziqe për shëndetin global sesa shpërthimi i Covid-19. Megjithëse gripi i shpendëve ka infektuar relativisht pak njerëz, shkalla e vdekshmërisë së tij është rreth 50 për qind, sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

“H5N1 është një shqetësim i madh”, thotë Jeremy Farrar, ekspert.

“Mund të shkojmë në një situatë ku do shohim se si ngordhin shpendët në të gjithë botën dhe nuk bëmë asgjë për ta ndaluar”, tha ai në një konferencë në Londër këtë javë.

Ai tha se nevojiteshin veprime më të mëdha si për të krijuar stoqe të vaksinës H5N1 dhe për të parandaluar qarkullimin e virusit midis gjitarëve.

“Nëse nesër do të kishte një shpërthim të H5N1 te njerëzit, ne nuk do të ishim në gjendje ta vaksinonim botën brenda vitit 2023”, shtoi Farrar, i cili do të bëhet kryeshkencëtar në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në maj.

Sa e mundshme është një pandemi njerëzore H5N1?

Ekspertët e sëmundjeve infektive thonë se rreziku mbetet kryesisht i kufizuar për popullatën e shpendëve ku 50 milionë zogj janë vrarë nga virusi ose janë zhdukur në këtë shpërthim, sipas ECDC. Asgjësimi në shkallë të gjerë është kryer në dhjetëra vende, përfshirë Japoninë, Francën dhe SHBA-në.

OBSH-ja këtë muaj tha se gripi i shpendëve ishte “ende një virus i shpendëve” dhe kërcënimi, duke përfshirë transmetimin nga njeriu te njeriu, “është i ulët”.

Gripi i shpendëve është një "problem i përsëritur" i tipizuar nga shpërthime sporadike sezonale, sipas Gregorio Torres, kreu i departamentit të shkencës në ËOAH. Por shumë vende po raportojnë raste gjatë gjithë vitit, tha ai.

Një faktor vendimtar është se si H5N1 evoluon, gjë që shkencëtarët thonë se mund të ndodhë në dy mënyra: ose nëpërmjet një serie lineare mutacionesh që e bëjnë virusin më efikas në përhapjen përmes një specie të caktuar, ose nëpërmjet rikombinimit, kur dy shtame të ndryshme të virusit prekin qelizat pritëse në të njëjtën kohë dhe shkëmbejnë gjenet, duke çuar në kërcime më të mëdha evolucionare.

"Askush nuk mund të parashikojë se kur dhe ku do të ndodhë një mutacion. E rëndësishme është të mos e lëmë mënjanë këtë që po ndodh", tha David Heymann, profesor.

Çfarë po bëhet për të frenuar përhapjen?

Ekspertët pajtohen se masat e mbikëqyrjes kanë qenë të përshtatshme për identifikimin dhe izolimin e sëmundjes, pavarësisht kostos së madhe për prodhuesit e ushqimit dhe grupet e tjera.

Torres thotë se fokusi duhet të vazhdojë të jetë në "biosigurinë", ose në kërkimin aktiv të shpendëve të sëmurë për t'i izoluar ato nga të shëndetshmet.

"Është padyshim mënyra më efektive për të shmangur infektimin e kafshëve," tha Torres. Ai shtoi se rreziku për njerëzit, megjithëse ende i ulët në përgjithësi, "ndoshta nuk ka qenë kurrë kaq i lartë".

Ai paralajmëroi se publiku duhet të jetë i kujdesshëm ndaj trajtimit të zogjve të ngordhur në natyrë, një nga rrugët e zakonshme të transmetimit te njerëzit. Në Londër dhe shumë qytete të tjera, zyrtarët kanë paralajmëruar njerëzit që të mos i ushqejnë zogjtë në parqe.

Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë