Kombetarja

Sa lekë u mblodhën nga Miqësorja e Bamirësisë

Sindikata e Futbollistëve Shqiptarë bëri publike shifrën e grumbulluar, për familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit.

Në një postim në faqen zyrtare në “Facebook”, SFSH-ja ka njoftuar se shuma e arkëtuar është 5.591.775 lekë të reja, të cilat do shkojnë në rikonstruksionin e banesave të shkatërruara nga tërmeti.

“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”, ishte moto e turneut të bamirësisë mes brezit të artë të kuqezinjve të viteve 2000 dhe një kombëtare yjesh të Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Një turne i organizuar nga Sindikata e Futbollit me mbështetjen e plotë të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Njoftimi:

Sindikata e futbollistëve profesionistë Shqiptarë informon me shumë kënaqësi se ka përfunduar procesi i arkëtimit të të ardhurave nga shitja e biletave për turneun miqësor që zhvilluam këtë janar në kuadër te mbledhjes së fondeve për bamirësi me qëllim ndihmën e komunitetit të prekur nga tërmeti i rëndë që ra në vendin tonë në nëntor. Shuma totale e përftuar nga ata që ishin atë dite të pranishëm në stadium është 5.591.775 lekë të reja. Duke dashur të falënderojmë edhe njëherë atë pjesë e publikut që e ndjeu dhe qëndroi atë dite neper shkalle, një falënderim i ngrohtë i shkon të gjithë sindikatave homologe që erdhën e morën pjesë, ashtu sikundër duhet të përshëndesim të gjithë ish lojtarët e Kombëtares që kontribuan në këtë event me shpenzimet e tyre dhe padiskutim Federatën Shqiptare te Futbollit që mundësoi impiantin për të ofruar një mbrëmje sa më komode.

Sindikata e Futbollistëve kërkon të informojë të gjithë opinionin publik që transparenca në lidhje me fondet do jetë një detyrim kryesor i yni dhe në ditët ne vijim do informojmë zyrtarisht se në cilën zonë dhe konkretisht në cilat ndërtesa do ndihmojmë me rindërtim apo rikonstruksione te ndryshme.

Duke e ditur fort mire se ndoshta mungesa e përvojës na ka bërë te mos jemi brilant në këtë organizim te parë, premtojmë që do jemi gjithnjë e më të kujdesshëm për të mos prodhuar polemika e diskutime, por njëherazi kërkojmë nga të gjithë ju më shume mirëkuptim duke pasur parasysh që në fund të fundit ishim aty për të dhënë dhe ne kontributin tonë për një pjesë të popullit që ende vuan dhe lëngon nga dhimbja, që shkaktoi ajo fatkeqësi natyre.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=165048701495573&id=110811526919291&substory_index=0

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë