Ne rrjet

Sa i kushton NATO SHBA-ve dhe ‘pasojat’ e Europës në rast të shkëputjes së tyre nga Aleanca

Shkëputja e Amerikës do të vinte në pah vonesën e europianëve në përgjigje të një sulmi të mundshëm rus, të thirrur për të zëvendësuar 100,000 ushtarë

Gazeta Si – Sa i kushton NATO Amerikës? Ose, thënë ndryshe, sa shpenzojnë Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur Europën?

Vlerësimet më të fundit të besueshme, të formuluara nga qendra e studimit “CSIS” në Uashington dhe Senati i SHBA-ve (2017-2018), variojnë nga 35 deri në 135 miliardë dollarë në vit, pra midis 4% dhe 15% të të gjithë buxhetit të mbrojtjes së SHBA-së.

Sot, tre vjet pas sulmit rus në Ukrainë, është e lehtë të imagjinohet se alokimet janë të paktën të barabarta me 135 miliardë dollarë.

Një shifër që nuk përfshin 70 miliardë dollarë ndihmën ushtarake të paguar për Kievin.

Këtu bëhet fjalë vetëm për zonën europiane të NATO-s, pra 30 vende, nga të cilat 23 janë anëtarë të BE-së. Pra, cili është kontributi i SHBA-ve?

Le të fillojmë, siç bëjnë Donald Trump dhe Elon Musk, nga paratë. Çdo vit, qeveria e Uashingtonit mbulon 22% të buxhetit për menaxhimin e komandave të NATO-s dhe për financimin e operacioneve të përbashkëta.

Në vitin 2024, pjesa amerikane arriti në 1 miliard dollarë nga totali prej 4.6 miliardë dollarësh. Një shumë që mund të mbulohej nga 31 anëtarët e tjerë të Aleancës Atlantike.

Por për të bërë çfarë? Shtetet e Bashkuara ofrojnë shtyllën kurrizore ushtarake të NATO-s. Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, mbi 400 mijë ushtarë u vendosën në Kontinentin e Vjetër.

Sot janë rreth 100 mijë. Trump po i rikthehet projektit të tij të vjetër: tërheqja e 30-35 mijëve trupave të stacionuara në Gjermani, por duke i zhvendosur në Hungari, vend i udhëhequr nga pro-rusi Viktor Orbàn.

Në teori, shtetet më të ekspozuara mund të mbushin boshllëqet e lëna nga SHBA, por jo menjëherë.

Polonia duhet të nxjerrë në terren rreth 14 mijë trupa të tjera; Italia 13 mijë; Mbretëria e Bashkuar 10 mijë; Spanja 4 mijë.

Në letër, këto objektiva duken të arritshme, duke pasur parasysh se ushtria polake ka 114 mijë personel; ai italian 165 mijë; ai britanik 144 mijë; ai gjerman 183 mijë. Kjo lëvizje do të përfshinte rritjen e fuqisë punëtore me rreth 10%, me një kulm prej 20% për Gjermaninë.

Por nuk është vetëm problemi i sasisë. 100,000 ushtarët amerikanë janë shumë të trajnuar, mund të mbështeten në informacionin më të sofistikuar të inteligjencës dhe, mbi të gjitha, janë gati për luftim.

Jo vetëm kaq. Dokumentet e NATO-s shpjegojnë se në rast sulmi, SHBA-të do të ishin gati të dërgonin përforcime masive në Evropë: 200 mijë burra e gra të tjera, me mjete të blinduara, mbrojtje ajrore, artileri etj.

Gjithsej: 300 mijë ushtarë, mjaftojnë, pohojnë gjeneralët, për të mbrojtur kufijtë e Aleancës Atlantike. A do të ishte në gjendje Evropa të mobilizonte një forcë ekuivalente? Jo sot.

Sipas hulumtimit të publikuar nga Instituti Bruegel në Bruksel dhe Instituti i Kielit për ekonominë botërore, kapaciteti luftarak që amerikanët mund të vendosin në Evropë brenda pak ditësh, është më i madh se ai i 29 ushtrive europiane së bashku.

Prandaj, mosangazhimi i amerikanëve do të ekspozonte vonesën aktuale të europianëve në një nivel strikt ushtarak.

A mund të rikuperohet? Për momentin pyetja nuk është në rendin e ditës. Të paktën zyrtarisht. Komisioni Evropian dhe Shtetet Anëtare janë duke punuar për një plan të përbashkët të mbrojtjes plotësuese me ato të NATO-s.

Me supozimin, pra, se Trump mund të zvogëlojë praninë e SHBA-ve, megjithatë, pa braktisur plotësisht Kontinentin e Vjetër.

Megjithatë, nëse Shtetet e Bashkuara do të largoheshin realisht, askush nuk mund të thotë se sa vite do të duheshin para se vendet e BE-së të pajiseshin me një forcë ushtarake cilësisht të barabartë.

Në fund, energjia bërthamore. SHBA do të kishte rreth njëqind koka bërthamore të shpërndara në Gjermani, Itali, Belgjikë, Holandë dhe Turqi.

A do të mjaftojë ombrella franceze dhe ndoshta edhe ajo britanike për të siguruar të njëjtën mbrojtje për të gjithë partnerët e NATO-s?

Dhe kush do ta ketë fjalën e fundit për të vendosur nëse dhe si duhet t’i përgjigjet një sulmi bërthamor, ndoshta të kufizuar, nga rusët?

Largimi i amerikanëve do ta linte Europën vetëm me pyetje, të cilat për momentin janë të vështira, por edhe shqetësuese për t’u përgjigjur.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë