Drejtësia

Ryshfet 4 mijë euro për provimin e gradës, dosja e pedagogut të policisë në gjyq

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim çështjen e pedagogut të Akademisë së Sigurisë, Qetësor Gurra dhe punonjësin e policisë rrugore, Dritan Lelaj.

Ata u arrestuan me urdhër të SPAK në dhjetor të vitit të kaluar nën akuzën për falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Kryekomisari Qetsor Gurra, lektor në Akademinë e Sigurisë, i kishte premtuar inspektorit të policisë rrugore, Dritan Lelajt se do ta favorizonte që të fitonte gradën nënkomisar, kundrejt 4000 eurove.

I pandehur në këtë çështje është edhe vetë Lelaj, kandidati që ka ofruar shumën e ryshfetit me qëllim për të marrë provimin për gradën.

Nën akuzë për këtë dosje është edhe Silvana Miho, e dyshuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Ata kishin përdorur dokumente të falsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurrentëve.

Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë