Politike

Rusmali-Celibashi, rikthehet dyshja e fortë për kryekomisionerin e zgjedhjeve

Këtu e 17 vjet përpara, në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të vitit 2003, Ilirjan Celibashi, si kryetar i KQZ-së debatonte jo pak me Ilir Rusmalin, atë botë juristi i PD-së në komision.

Celibashi si kryetar i KQZ-së administroi tre palë zgjedhjesh, ato të vitit 2001, 2003, e 2005, ndërsa Ilir Rusmali qëndronte gjithnjë në kahun e kundërt të debatit, që atë kohë mes PD-së dhe Celibashit kanë qenë të thella.

Aktualisht Ilir Rusmali është ekspert i grupit të punës për reformën zgjedhore, ndërsa Celibashi drejton një zyrë avokatore

Të dy ata, në ditën e fundit të skadimit të afatit, mësohet se kanë depozituar emrat për kandidat për kryekomisionerin e zgjedhjeve.

Në këtë listë rreshtohen edhe emra të tjerë kryesish propozime nga partitë politike.

Celibashi ka qenë ministër në qeverinë “Rama” të 2013-ës, Rusmali po ashtu në kohën e qeverisë “Berisha”.

Të dy ata kanë pasur një profil të ngritur politik (duke qenë edhe deputet) dhe e përbashkëta mes tyre vijon edhe në fushën e ekspertizës. Celibashi dhe Rusmali  janë njohës të sprovuar zgjedhjesh dhe me futjen e tyre në lojë gara për kryekomisionerin pritet të jetë interesante.

Organet e reja drejtuese për administrimin e zgjedhjeve janë: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; Komisioni Rregullator; dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë