Politike

Ruli: Pse pranova ftesën e Bashës, zgjedhjet 2021, përplasja më e madhe politike

Genc Ruli, i kthyer në PD në Komisionin Vlerësimit të kandidaturave, me ftesë të Lulzim Bashës, tha të martën për mediat se zgjedhjet e ardhshme do të jenë përplasja më e madhe elektorale.

Pas takimit me Lulzim Bashën si anëtar i Komisionit të Vlerësimit, Ruli jep një shpjegim shterues mbi arsyet që e bindën atë për tu rikthyer në PD.

“Në historinë time kam qenë disa herë kritik me lidershipin e PD-së, ju jeni më të rinj për ta mbajtur mend në këto 30 vjet, dhe gjithmonë kur kam gjykuar që mendimi im, vlerësimi im, për situatat apo për njerëzit ka qenë i ndryshëm, për të ruajtur pavarësinë, për të ruajtur zërin tim qoftë edhe ai ndesh me lidershipin.

Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe, për më tepër ndjehem i vlerësuar që unë mund të jap kontribut sot, në përzgjedhjet e një ekipi sa më cilësor kandidatësh, në atë që do të jetë, përplasja më e madhe elektorale, por pa dyshim një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së”, tha Ruli.

A mund të shërbejë ky proces për rikthimin e figurave më në zë, kritik deri më tash me Lulzim Bashën?

“Unë mendoj që ky proces është deklaruar nga vetë lidershipi i PD-së, nga vetë z. Basha, që është një politikë e hapjes.

Unë vetë jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë qëndrime mjaft kritike ndaj lidershipit dhe z. Basha, për arsye se i gjykoja ndryshe proceset se si duhej të ishin zhvilluar proceset në atë kohë dhe besoj që edhe kjo ftesë që m’u bë mua, një nga njerëzit kritikë, është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe mendjehapjes së PD-së sot”, tha ai

Sa i përket propozimit të kandidaturave nga baza, Ruli sqaroi se ato janë gërshetim i gjeneratës së kaluar, asaj të sotme dhe figurave të reja.  

“…Po t’i shohësh janë gjenerata të ndryshme të historisë politike të PD-së, që nga ata që janë themelues, nga ata që kanë aktivizim të mëvonshëm, por deri në nivelet më të larta të Partisë apo të shtetit dhe prurje më të reja në politikë…”, nënvizoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë