Kombetarja

Rudi Vata: Pashë gjëra pozitive nga Shqipëria, luajmë mirë kur guxojmë

Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares, i njohur për qëndrimet e tij kritike dhe të drejtpërdrejta, ka parë disa gjëra pozitive gjatë pjesës së dytë të ndeshjes me Çekinë, ku Shqipëria humbi 3-1. Përveç golit të Cikalleshit, të cilin e vlerësoi si lojtarin më të mirë në fushë, Vata ka evidentuar edhe disa fragmente të lojës, ndërkohë që ka rezerva për mbrojtjen.

Për RTSH ish-futbollisti shkodran u shpreh: “Shqipëria u paraqit mirë për 10 minuta, pastaj ekipi çek dominoi me raste dhe lojë. Ajo mrekulli e Cikalleshit i dha ekipit një lloj besimi dhe frymëzimi. Në pjesën e dytë skuadra reagoi shumë mirë, çekët u vunë në vështirësi dhe nuk kishte diferenca mes skuadrave. Ai gol ishte tepër i rëndësishëm, sepse vinim nga një periudhë shumë e keqe.

Rudi Vata, ish-kapiten i Kombëtares. Gazeta Si, 8 qershor 2021

Ai gol ishte vërtet për Europian, jo vetëm për miqësore. Cikalleshi ishte lojtari më i mirë në fushë, edhe me mënyrën si mbronte topin, si kundërsulmonte, ishte pika e referimit. Ka bërë një ndeshje të shkëlqyer. Mbrojtja më habiti, në pjesën e parë kundërshtari u tregua shumë aktiv dhe shpesh na gjente hapësira në qendër, ku është pika më e forte. Selmani bëri paraqitje të mirë në pjesën e parë, ndoshta na mbajti në lojë.

Skuadra në pjesën e dytë bëri presion lart dhe krijoi konfuzion te kundërshtari, goli i tretë mund të evitohej, ishte jo normale si u mbrojt ai top. Gjithsesi, mendoj se për pjesën e dytë ka plot gjëra të mira, kjo është loja që duhet të bëjmë edhe nëse jemi inferiorë ndaj kundërshtarësh të tillë. Kur guxojmë, i vëmë në vështirësi, edhe ata mund të gabojnë se janë njerëz dhe kjo indicie shpresoj të jetë për vazhdimësinë. Shqipëria spektaklin më të bukur e pati me Rejan, që iu paraqit dy herë e njëjta situatë. Tregoi që ka aftësi fizike të mira.

Ndaj Çekisë mungoi ai lojtari para mbrojtjes dhe po ta shohim në një nga rastet, nis nga humbja e topit nga Abrashi, i cili nuk ishte aq mirë si ndaj Uellsit. E ritheksoj, kishte shumë gjëra pozitive, sidomos goli i Çikalleshit. Nga mënyra si u paraqit ekipi në pjesën e dytë në standard loje, këtu duhet të bazohemi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë