Kombetarja

Rudi Vata: Orët e fundit të Panuçit, inteligjent nëse largohet

Koret për largimin e trajnerit Kristian Panuçi nisën gjatë pjesë së dytë të ndeshjes me Skocinë në stadiumin “Loro Boriçi. Pas humbjes së thellë ka pasur kritika pa fund për Kombëtaren dhe kryesisht për trajnerin italian nga specialistë të ndryshëm. Njëri nga ata është Rudi Vata, i cili e konsideron ta pamundur bashkëjetesën e trajnerit Panuçi me Shqipërinë:

“Shqipëria bëri një ndër ndeshjet e saj më të dobëta. Fusha ishte e mirë dhe Skocia kishte shumë mungesa të rëndësishme në këtë ndeshje. Mendoj se te Shqipëria mungoi angazhimi dhe ishte një ndeshje e dobët. Ndihem keq për këtë lojë të Kombëtares. Të humbasësh me këtë rezultat në fushën tënde, është shumë e rëndë. Është një ndër humbjet më të rënda në historinë e futbollit shqiptar. Ne kishim bërë progres, duke shkuar në Europian. Pretendonim të shkonim edhe në Botëror, por përfunduam në vend të fundit dhe kjo është disfatë e madhe për futbollin shqiptar. Gjuha e trupit tregon se nuk ka harmoni si në Europian”, – ka theksuar ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata,pas ndeshjes me Skocinë në “Loro Boriçi”.

Vata është ndalur më tej te çështja e trajnerit Panuçi: “Formula e Panuçit nuk i bën mirë futbollit shqiptar. Pas dhe gjatë ndeshjes e kuptuam se tifozët nuk janë pro Panuçit. Bashkëjetesa është tepër e vështirë dhe mendoj se janë orët e fundit të Panuçit. Për mua, do të bënte një lëvizje inteligjente, nëse largohet. Panuçi me Kombëtaren e Shqipërisë është kapitull i mbyllur”, -theksoi ish-futbollisti i Kombëtares.

 

Më Shumë