Politike

Ruçi letër Metës: Sill emrin për KLSH. Presidenti: I keni rrëzuar tre emra

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi,  i ka dërguar letër presidentit Ilir Meta, ku i kërkon që të propozojë një emër kandidati për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ruçi shkruan se Meta duhet të respektojë afatet për depozitimin e kandidaturës..

Dy vjet pas përfundimit të afatit të mandatit të Bujar Leskajt, Kuvendi nuk ka miratuar asnjë prej tre emrave kandidatë që Ilir Meta ka depozituar në Kuvend duke filluar me emrin e Vitore Tushës.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka marrë një letër pak ditë më parë nga Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi për çështjen e KLSH.

Presidenti Meta e ka respektuar me përgjegjshmëri maksimale detyrimin kushtetues duke propozuar tre kandidatura mjaft dinjitoze dhe të kualifikuara për të garantuar pavarësinë e KLSH.

Presidenti Meta si gjithmonë do të përmbushë detyrimet e Tij kushtetuese për të garantuar pavarësinë e institucioneve...” thuhet në reagimin e zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi.  

Meta ka sqaruar me kohë se mandati i ushtrimit të mandatit si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përfundimit të afatit 7-vjeçar të tij, është e zgjidhur nga vetë ligji për KLSH. Në bazë të ligjit, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri.

Deri më tash, Meta nuk ka pranuar as kërkesën e vetë Bujar Leskajt për t’ia deleguar mandatin zv-kryetares.  

Sipas kreut të shtetit, “nëse organi i Kontrollit të Lartë të Shtetit do të përfaqësohej nga një funksionar tjetër dhe jo nga Kryetari i tij, kjo do ta zhvishte atë nga mbrojtja kushtetuese dhe ligjore që ka ky institucion dhe në këtë mënyrë do të cenohej integriteti dhe pavarësia e tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë