Politike

Rruga Milot-Fier, PD: 10 mln euro për 1 km rrugë, vjen era korrupsion

Sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Ervin Minarolli, tha përmes një konference për shtyp se, rruga Milot-Fier është vjedhja më e madhe e qeverisë “Rama”.

 “1.2 miliardë euro për 115 kilometra përkthehet si rrugë që kushton, rreth 10 milionë euro për 1 kilometër. Kosto del shumë më e lartë, nëse merret parasysh se 62 kilometra të saj do të kalojnë në rrugët dhe autostradat ekzistuese.

 1.2 miliardë euro për një rrugë që nuk kalon në terren të vështirë dhe kur më shumë se gjysma e saj rezulton e ndërtuar, është një vendim antikombëtar.

Është futje e duarve në xhepat e varfër të qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë shumë shtrenjtë kalimin në rrugën e florinjtë të Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut...”, tha Minarolli përmes një konference për shtyp.  

Sipas tij, kostoja e projektit është fryrë.

“Ata që do të kalojnë do të  nxjerrin nga xhepi, të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

 Partia Demokratike nuk është kundër zhvillimit të infrastrukturës, pasi ne kemi investuar më shumë se çdo qeveri tjetër që shqiptarët të lidhen me rrugë moderne dhe të shpejta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

 Për ne është e papranueshme që, qeveria të ndërtojë me kosto 6 herë më të lartë se standardi i Bashkimit Europian.

 7 vjet më parë ne siguruam fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një rrugë të ngjashme, ndërtimin e bypass-it të Fierit me një kosto prej 1.8 milionë euro për kilometër.

 Sot, është e papranueshme që rruga Milot-Fier të ndërtohet me 6 fishin e kostos dhe milionat nga paratë e shqiptarëve të përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha ai.

PD paralajmëron se do të anulojë këtë vendim.

“Partia Demokratike e ka bërë të qartë: Ne nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion!”, shtoi ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë