Futboll

Rruga drejt Tiranës, Altin Lala do Romën e Kumbullës në finalen e 25 majit

Gazeta Si - Altin Lala, ish-kapiteni i Shqipërisë, ishte i përzgjedhuri i UEFA-s për shortin e sotëm të fazës së 1/8-të të Ligës së Konferencës. Një kompeticion që zhvillohet për herë të parë, finalja e të cilit është vendosur të luhet në Tiranë, më 25 maj.

Gjatë hedhjes së shortit Lala nuk e fshehu entuziazmin që për herë të parë në histori Shqipëria ka shansin të organizojë një event të tillë futbolli. Ai shpreson që në finalen e Tiranës të luajnë Roma e Marash Kumbullës, ose anglezët e Leiçesterit apo Olimpiku i Marsejës.

Shorti i 1/8-ve te Liges se Konferences. Gazeta Si, 25 shkurt 2022

“Është eventi më i rrallë që do të organizojë Shqipëria dhe për këtë populli shqiptar është shumë i lumtur. Ëshë një event i mirë edhe për klubet, që kanë mundësinë të fitojnë një kompeticion europian. Ka ekipe të mëdha në këtë kompeticion, siç janë Roma, Leiçesteri, apo Olimpiku i Marsejës. Shpresoj që njëri prej tyre të vijë në Tiranë për finalen”, - theksoi Lala.

Më pare, gjatë shorteve të këtij edicioni, UEFA ka ftuar edhe ish-kapitenin tjetër kuqezi, Lorik Canën, duke i bërë jehonë faktit që finalja do të zhvillohet në Shqipëri.

Shorti ndërkohë ka dhuruar disa përballje interesante. Roma përballet me Viteshen, kurse PAOK-u i Enea Mihajt me belgët e Gent.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë