Ka ndodhur

Rrjedhje gazi në një fabrikë në Porto Romano, banorët evakuohen mes panikut

Gazeta Si - Cisternat e gazit në Porto Romano të Durrësit kanë pësuar rrjedhje mesditën e të mërkurës, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.

Policia e Durrësit njofton se është dëmtuar një cisternë gazi e një biznesi privat dhe është çliruar në ajër një sasi gazi.

Nga ngjarja nuk ka persona të lënduar dhe as incidente të tjera. Por banorët e zonës shprehen të frikësuar për t’u rikthyer në banesa. Ata thanë për mediat se nuk është hera e parë që janë ankuar për këtë biznes.

Në të gjithë zonën, ndihet e fortë dhe mbytëse era e gazit, ndërsa ka mbërritur dhe një autoambulancë pranë fabrikës. Shërbimi zjarrfikës është po ashtu në gatishmëri.

Shefi i komisariatit të Durrësit, Vilson Bala ndodhet në vendngjarje, ndërsa ekspertët dhe grupi hetimor janë jashtë ambienteve të fabrikës, pasi është e pasigurt këqyrja e vendit.

Mësohet se është ndërprerë mësimi edhe në një shkollë që ndodhet pranë fabrikës. “Ishim në orën e katërt mësimore. Erdhi një presor dhe tha dilni jashtë vajza dhe djema sepse po shpërthen gazi. Drejtori na tha merrni çanta dhe ikni me vrap, dhe ne kemi marrë çantat dhe kemi ikur se jemi trembur shumë”, - rrëfen një nxënës i shkollës 9-vjeçare "Met Hasa".

Ndërkohë, në 18 qershor të këtij viti, pati disa shpërthime të bombulave në një prej fabrikave në Porto Romano pranë zonave të banuara.

Të shqetësuar për sigurinë e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve, banorë të Porto Romanos kanë protestuar pas incidentit që ndodhi të  në fabrikën e gazit në Durrës, duke kërkuar nga autoritetet një zgjidhje të shpejtë të situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë