Ekonomi

Rritje rekord e papunësisë në SHBA, shifrat sugjerojnë një “Depresion të Madh”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan për herë të parë që prej 2010 rritje të papunësisë. Zyra e Statistikave të Punës raportoi për muajin mars një humbje rekord të vendeve të punës, duke e rritur papunësinë në 4.4 për qind.

Autoritetet amerikane thanë se në mars 701 mijë amerikanë humbën vendet e tyre të punës, duke e rritur shifrat e papunësisë me 0.9 për qind, nga 3.5 për qind që ishte në muajin shkurt, rekordi i uljes së papunësisë në 50 vitet e fundit në SHBA dhe duke e kërcyer atë në 4.4 për qind.

Për ekspertët ky është vetëm fillimi dhe kohë më të vështira e presin përpara ekonominë amerikane, që prej 2010-ës regjistronte vende të reja pune muaj pas muaji. Shifrat luhateshin, por megjithatë deri para pandemisë së koronavirusit ato mbeteshin gjithmonë pozitive. Mjaftuan 2 javë nga pandemia që tregu i punës të tronditej thellësisht.

Rreth 10 milionë amerikanë kanë plotësuar dokumentacionet për të përfituar bonusin e papunësisë të premtuar nga administrata e Donald Trump. Më e keqja duket se nuk ka ardhur ende. Të dhënat zyrtare të autoriteteve u referohen shifrave para 14 marsit, para se një varg kompanish të mëdha e të vogla të njoftonin se do të kryenin shkurtime për shkak të masave kufizuese të lëvizjes të shpallura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Sektorët më të goditur janë ata të shërbimeve. Sipas shifrave rreth 459 mijë persona kanë humbur vendet e punës tek shërbimet e ushqimit, të pijeve (baret, restorantet, fast-food) dhe tek shërbimet e hotelerisë dhe turizmit.

Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin dhe zyrtarë të tjerë në Shtëpinë e Bardhë kanë sinjalizuar se papunësia në SHBA mund të shkojë deri në 30 për qind në muajt e ardhshëm. Këto paralajmërime dhe analizat e aktuale të situatës kanë shtuar zërat mes ekonomistëve dhe ekspertëve se SHBA po shkon drejt një recesioni të thellë dhe të pashoq, që prej “Depresionit të Madh” të viteve ’30, nëse nuk gjendet një zgjidhje që njerëzit të rikthehen në punë.

“Oxford Economics” parashikon që deri në maj, 27.9 milionë amerikanë do të humbasin vendet e punës, duke e çuar papunësinë në 16 për qind, ose rreth tre herë më shumë nga papunësia e shkaktuar gjatë dhe pas krizës financiare të 2007-2009, ku 8.7 mln vende pune u shkurtuan.

Sa për krahasim, papunësia gjatë “Depresionit të Madh” në SHBA kulmoi me 24.9 për qind në vitin 1933.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë