Ekonomi

Ekonomia do të rritet më ngadalë se në 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në konferencën për shtyp tha se shifrat zyrtare për rritjen ekonomike të 2021 të jetë 8.6 për qind, nga 7.6 për qind që parashikonte qeveria në korrik të vitit të kaluar. Të ardhurat e përgjithshme parashikohen të rriten me 6% dhe sipas ministres Ibrahimaj, këto shifra do të stimulohen nga paketa e re fiskale.

Ministrja tha se parashikohet që politikat fiskale të kujdesshme të reduktojnë nivelin e borxhit publik deri në 78.8% të PBB-së.

Në bilancin e vitit që lamë pas, ministrja tregon se të gjithë sektorët, përveç bujqësisë patën rritje dhe se për të gjithë vitin u hapën mbi 16 mijë biznese.

Ibrahimaj rikujtoi dhe njëherë lajmërimin e dhënë më herët nga Kryeministri Edi Rama, se kompanitë që kanë abuzuar me deklarimin e pagave, sipas listës së publikuar ilegalisht, kanë kohë deri më datë 20 të korrigjojnë “gabimet” e pagave.

“Do të synojmë të bëjmë analiza dhe strategji për çështjet e punësimit, investimet vendase dhe të huaja, eksportet, informalitetin, mbrojtjen e konsumatorit, mbështetje për start up-et dhe pensionet”,-tha ministrja e Financave mbi strategjitë e 2022-shit.

"Nga ana e prodhimit kemi patur ecuri shumë të mirë në të gjithë sektorët, si dhe nga ana e shpenzimeve. Investimet janë ndikuar si nga investimet publike. Kjo rritje dhe perspektiva që na pret për 2022, rritja ekonomike do vijojë, por jo në nivelet e 2021, por planifikojmë të arrijmë rritje ekonomike me 4.1% për vitin 2022", vijoi Ibrahimaj.

Pyetur nga gazetarët e pranishëm në konferencë, ministrja e Financave u shpreh se nxjerrja e pagave është e rëndë, por ka vende që i nxjerrin vetë këto të dhëna. “Është sjellje e jashtëligjshme e personave që kanë akses aty dhe nuk ka të bëjë me sistemin e sigurisë.”

“Pjesa më e madhe e bizneseve që janë fiskalizuar, në dy muajt e parë kanë ndjerë efektet pozitive të saj. Shtyrja e procesit me 6 muaj për ato që nuk janë fiskalizuar nuk do të ndikojë tek këto biznese e as tek ato që janë fiskalizuar”, - u shpreh Ibrahimaj për fizkalizimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë