Ekonomi

Rritje e papritur e aktivitetit ekonomik të Eurozonës

Aktiviteti ekonomik i Eurozonës papriturazi merr ritmin më të shpejtë në 6 muaj, në shkurt, me shërbimet që provuan të ishin rezistente teksa fabrikat luftonin sfidat e efekteve të shkaktuara nga koronavirusi.

Ky informacion i studimit të IHS Markit vjen një ditë pasi Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Luis de Guindos tha se tregu i punës relativisht i fortë i bllokut dhe normat ultra të ulëta të interesit, po mbështesin rritjen ekonomike. Kjo është një përsëritje e argumentit të dhënë kohë më parë nga BQE që fuqia e brendshme e rajonit mund të shërbejë si amortizator ndaj risqeve globale.

"Zgjerimi ekonomik po udhëhiqet nga qëndrueshmëria e sektorit të shërbimeve," tha Chris Williamson, kryeekonomist i sektorit të bizneseve në IHS Markit. Por dhe sektori prodhues po tregon shenja inkurajuese nga rënia ekonomike që i kishte goditur prodhuesit për më shumë se një vit.

Në Gjermani, ekonomia më e madhe e Europës, një rritje surprizuese në indeksin e PMI-së (Purchasing Manager’s Index) të sektorit të prodhimeve, e rriti vlerën e Euros, ndonëse dyshohet që ky përmirësim të jetë një  luhatje pozitive e çastit e tregut duke marrë e parasysh dobësitë në kërkesën e eksportit.

Matësi kompozit i Eurozonës, një matës në aktivitetin e sektorit privat, ka shënuar 51.6 duke sinjalizuar kështu një rritje në këtë tremujor prej 0.2%. Sektori prodhues vazhdoi të dobësohej ndonëse në ritëm më të ngadaltë.    

Çfarë thonë ekonomistët e Bloomberg?
“Rritja e papritur e PMI-së në shkurt është një nga indikatorët e parë që tregon se si shpërthimi i koronavirusit ka ndikuar në pikëpamjen e euro-zonës. Dhe ka provuar të duket më mirë seç pritet.”, shprehen Jamie Rush dhe Maeva Cousin.

Investitorët i janë përgjigjur kësaj situate duke e rritur çmimin e euros me 0.3% në $1.0816 sipas orës 10:15 të mëngjesit të Frankfurtit. Por përkeqësimi i epidemisë së virusit ka ushtruar presion në tregun e kapitaleve me indeksin e Stoxx Europe 600 duke rënë për të dytën ditë rradhazi.

Ekonomitë aziatike janë në telashe. Njoftimet e të premtes tregojnë se prodhimi në Australi dhe Japoni ka rënë, gjithashtu nivelet e eksportit të Koresë së Jugut kanë treguar dobësim nga kërkesa e ulët kineze. Ndërsa në Kinë shitjet e makinave kanë rënë me 92% gjatë gjysmës së parë të Shkurtit dhe ministria e tregtisë ka deklaruar se sektori i tregtisë dhe investimeve të brendshme do të pësojnë goditje gjithashtu.

Në këtë situatë shqetësuese të zhvillimit të euro-zonës shohim se bizneset e reja të sektorit të shërbimeve janë rritur me ritëm më të ngadaltë se në dy muajt e mëparshëm. E kjo lidhet e me efektet kaskadë të ardhura nga koronavirusi e veçanërisht në fusha si ato të turizmit dhe udhëtimeve.

Ndërkohë një numër i madh kompanish prodhimi po i shohin zinxhirët e tyre të furnizimit të goditen rëndshëm si pasojë e mbylljes së fabrikave në Kinë.

“Në Eurozonë impakti i plotë e imediat mbase akoma nuk është bërë i dukshëm”, ka thënë Williamson. Në veçanti vonesat e përhapura të furnizimeve të vërejtura në shkurt japin lajme të këqija mbi prodhimin në Mars e kjo mund të shmanget nëse dërgesa të reja mund të sigurohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë